Shqipëria

MB: Situata nga përmbytjet drejt normalizimit


Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në jug të vendit dhe në rajonin qendror situata është drejt normalizimit. Ajo ka deklaruar se edhe në Lezhë, situata është përmirësuar.

 Në qarkun Lezhë, lumi Drin është ulur me 70-të centimetra nga kuota kritike, ndërkohë që janë evakuar 28-të familje. 2 mijë e 850 hektar tokë në këtë qark vazhdojnë të jenë nën ujë. Nga rrëshqitjet e tokës gjashtë banesa janë bërë të pabanueshme në Lezhë dhe dy të tjera në Mirditë. Rruga “Gallat-Minjollë” në Milot dhe rruga pranë lumit Drojë janë të bllokuara”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Qarku i Shkodrës është në monitorim të vazhdueshëm si nga strukturat vendore ashtu edhe nga ato qendrore. Forcat e Armatosura po mundësojnë lëvizjen e banorëve me mjete lundruese dhe mjete të larta në këtë qark.

Ato po transportojnë pakot ushqimore nga Rezervat e Shtetit, drejt zonave të prekura. Të gjitha hidrovorët në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës funksionojnë me kapacitet të plotë. Në Shkodër nuk ka asnjë familje të evakuar, ndërkohë që janë përmbytur 4 mijë e 80 hektar tokë.

Në qarkun Durrës janë evakuar tetë familje. 20- të banesa në këtë qark janë përmbytura. Sipërfaqja nën ujë është 520 hektar.

Si pasojë e rrëshqitjeve të tokës, tre banesa janë bërë të pabanueshme edhe në Bashkinë Pukë. Aksi rrugor rural Bogë-Qafë Thore është i bllokuar me rreth një metër borë.

Ministria e Mbrojtjes ka shtuar se 600 pako ushqimore janë shpërndarë në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. 300 pako janë shpërndarë në qarkun e Durrësit, Krujës dhe Shijakut./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore