Shqipëria

MB: Fillon qarkullimi në aksin Milot-Lezhë


Ministria e Mbrojtjes (MB) ka bërë me dije mëngjesin e 14 shkurtit për një përmirësim të kushteve në akset rrugore si pasojë e intensitetit të reshjeve të borës.

Më datë 13 shkurt si rezultat i reshjeve të borës është bllokuar aksi rrugor Milot-Lezhë. Situata ishte shumë e vështirë pasi dy kamionë ishin përplasur me njëri-tjetrin, duke bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve”, njofton ministria. Ajo bën me dije se pas një pune të gjatë aksi rrugor është hapur me vështirësi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (14 shkurt) dhe ka filluar qarkullimi i mjeteve.

Ajo shton se ditët në vijim pritet mot i kthjellët, por për shkak të temperaturave të ulëta do të ketë ngrica në rrugë.

“Si pasojë e reshjeve të borës, më 13 shkurt ka pasur bllokim të aksit rrugor Elbasan-Librazhd. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë së shtetit dhe firma kontraktore, të cilat kanë punuar për normalizimin e situatës. Nga informacioni i marrë sot në mëngjes aksi rrugor është i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë”, sqaron ministria.

Forcat e Armatosura në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë rritur gatishmërinë në të gjithë vendin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Aktualisht trupat dhe mjetet e Forcave të Armatosura janë të angazhuara në zonën e Nënshkodrës për të ndihmuar lëvizjen e qytetarëve në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Këto zona janë të prekura nga përmbytjet.

Një borëpastruese e Detashmentit të Mbrojtjes Rajonale të Drenovës është angazhuar për pastrimin e aksit Korçë-Kapshticë.

Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë qytetarëve të evitojnë lëvizjet jo të domosdoshme, sidomos në akset me prani të theksuar të ngricave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore