Lajme

MB/ Faqeve pornografike do t’u kërkohet të verifikojnë ligjërisht moshën e përdoruesve


Në Mbretërinë e Bashkuar, faqeve pornografike në internet do t’u kërkohet ligjërisht të verifikojnë moshën e përdoruesve të tyre sipas ligjeve të reja të sigurisë në internet.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se legjislacioni në fjalë është pjesë e projektligjit për sigurinë në internet dhe synon t’u japë fëmijëve mbrojtje më të mirë.

Për të siguruar që përdoruesit janë mbi 18 vjeç, masat pritet t’u kërkojnë përdoruesve të provojnë se zotërojnë një kartë krediti ose të konfirmojnë moshën nëpërmjet një shërbimi të palëve të treta.

Nga ana tjetër, faqet që nuk do ta kryejnë këtë, mund të gjobiten deri në 10 për qind të qarkullimit të tyre global.

Legjislacioni i ri pritet të prezantohet në parlament gjatë muajve të ardhshëm.

Prej kohësh, grupet e sigurisë së fëmijëve kanë kërkuar verifikimin e moshës në faqet pornografike, për shkak të frikës se është shumë e lehtë për të miturit të kenë akses në materialet e disponueshme publikisht në internet.

Referuar studimeve, gjysma e 11 deri në 13-vjeçarëve kanë parë pornografi.

Sipas ekspertëve, kjo u jep atyre pikëpamje jo të shëndetshme për seksin dhe pëlqimin, duke i vënë ata në rrezik dhe ndoshta duke i ndaluar ata të raportojnë abuzimet.

Ministri i Ekonomisë Digjitale, Chris Philp, ka thënë se “prindërit meritojnë paqe mendore që fëmijët e tyre të mbrohen në internet nga shikimi i gjërave që asnjë fëmijë nuk duhet t’i shohë”.

Kurse Andy Burrows, i Shoqatës Kombëtare për Parandalimin e Mizorisë ndaj Fëmijëve (NSPCC), e ka përshëndetur forcimin e Projektligjit të Sigurisë në Internet.

“Është e drejtë që qeveria i ka dëgjuar thirrjet për të rregulluar një nga mangësitë në Projektligjin e Sigurisë në Internet dhe për të mbrojtur fëmijët nga pornografia kudo që ndodhet”, ka thënë ai.

Gjithashtu ka vijuar se është “me rëndësi që ata kanë vepruar lidhur me shqetësimet tona dhe kanë mbyllur boshllëkun që do t’i linte disa nga faqet më të rrezikshme, pavarësisht se u lejonte fëmijëve akses në materiale jashtëzakonisht të dëmshme”.

Mirëpo, nuk ka lënë pa thënë se ky përforcim nuk ka shkuar aq larg sa në të vërtetë duhet.

“Legjislacioni ende nuk i jep fëmijëve mbrojtje të plotë nga abuzimi i parandalueshëm dhe përmbajtjet e dëmshme dhe ka nevojë për fuqizim të konsiderueshëm për të përshtatur retorikën e qeverisë dhe për të fokusuar mendjet në krye të kompanive të teknologjisë në sigurinë e fëmijëve”, ka theksuar eksperti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore