Aplikacione

Matze, jo më në Parler


John Matze, drejtori ekzekutiv i medias sociale Parler, është shkarkuar nga bordi drejtues i medias sociale më të re me arsyetimin se kishte mospërputhje mes vizionit të tij dhe të investitorëve.

Sipas agjensisë së lajmeve CNN, njoftimin për shkarkimin e Matze-s e ka dhënë investitori i Parler-it dhe njëkohësisht mbështetësi i krahut të djathtë, Dan Bongino. Kjo bëri që shkarkimi i Matze-s të Interpretohej prej tij si ndikim nga anëtarët ekstrem të së djathtës.

Nëpërmjet një videoje në median sociale Facebook, Bongino e konfirmoi ndërprerjen nga puna të Matze-s dhe gjithashtu, kundërshtoi narrativën e tij duke shtuar se largimi nuk ka implikime personale.

Bongino sipas CNN është shprehur se “marrëdhënia mes Parler-it dhe CEO-s nuk funksionoi pasi vizioni i tij nuk ishte i yni”. Ai ka pranuar se vendimi për shkarkimin është marrë prej tij dhe bashkëpronarëve të tjerë të Parler-it.

Nga ana tjetër, edhe Matze është shprehur se ka hasur rezistencë të vazhdueshme ndaj vizionit të tij të biznesit dhe pikëpamjet rreth modelit të menaxhimit të aplikacionit Parler.

Çfarë është Parler?

Platforma Parler është themeluar në vitin 2018. Parler e kategorizon veten si një media sociale të paanshme ku njerëzit mund të komunikojnë lirshëm pikëpamjet e tyre pa u shqetësuar se mund të paragjykohen lidhur me to.

Mirëpo, CNN identifikon se Parler-i nisi të njihej në muajin nëntor kur mediat kryesore bënin thirrje për zgjedhjen e Joe Biden-it. Parler arriti kulmin gjatë trazirave të Capitol-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në atë kohë, platforma nisi të përdorej nga mbështetësit e ish presidentit Donald Trump duke përfshirë edhe nga ata të cilët ishin pjesë e trazirave. Më vonë, platformës iu bashkuan edhe figura politike konservatore dhe personalitete të medias.

Si u bë e njohur platforma?

Politikat e censurimit që ndoqi Facebook-u dhe Twitter-i me idenë për të luftuar dezinformimin gjatë zgjedhjeve presidenciale, bëri që shumë figura publike konservatore të pretendojnë se ishin të përjashtuar nga mediat sociale.

Ishte thirrja e Maria Bartiromo-s, prezantueses së Fox News, e cila shtyu një numër të konsiderueshëm përdoruesish të zgjidhnin Parler-in. Pas ditës së zgjedhjeve, ajo shkruajti në Twitter se “së shpejti do të jem në Parler. Ju lutem hapeni një llogari në Parler menjëherë”.

Pse etiketohet si media sociale konservatore?

Parler u themelua nga Rebekah Mercer, Jared Thomson dhe John Matze. Sipas CNN, Mercer i përket grupimeve konservatore edhe prej të atit të saj që ka qenë donator i njohur për konservatorët.

Nga ana tjetër, CNN dallon se përmbajtja e medias sociale është e mbushur me dezinformime, akuza të pabazuara dhe teori konspirative të mbështetura nga Trump.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore