Shqipëria

Mashtroi qeverinë polake me respiratorët, tregtari i armëve njoftohet i vdekur në Shqipëri


Andrzej Izdebski, një tregtar armësh dhe aparatesh respiratorë, u arratis me sukses nga prokuroria polake dhe u njoftua i vdekur në Shqipëri.

Më 20 qershor të këtij viti, nga Policia e Tiranës ka ardhur njoftimi se një shtetas polak ishte gjetur pa shenja jetë në një banesë që kishte marrë me qira në bulevardin “Bajram Curri”. Viktima nuk u identifikua nga autoritetet por u dhanë vetëm inicialet e polakut.

Sipas mediave polake Izdebski kishte qenë pjesëtar i shërbimit sekret polak, por në tre dekadat e fundit njihej në Poloni, si mbreti i tregtisë së armëve duke i çuar ato nga vendet e Evropës Lindore deri në Korenë e Veriut.

Përse zgjodhi Shqipërinë?

Sipas mediave vendase, shtetasi polak kishte miq me të cilët kishte bërë tregti armësh përmes kompanisë të regjistruar në vitin 2011 në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) me emrin UNIMESKO me ortakë edhe dy shqiptarë.

Skandali me respiratorët

Rasti filloi në pranverën e vitit 2020, në kulmin e pandemisë. Pas njoftimeve të “ekspertëve” për vdekjet masive për shkak mungesës së mjeteve respiratorë, Ministria polake e Shëndetësisë, e drejtuar në atë kohë nga Łukasz Szumowski, nënshkroi një kontratë prej 200 milionë PLN (rreth 42 milionë euro) me kompaninë Lublin E&K, duke mbuluar furnizimin prej 1 mijë e 200 respiratorësh “të cilësisë së lartë”.

Një shumë shumë e madhe për një pajisje të tillë, por që duhej të zbatohej shpejt. Ministria pagoi një paradhënie të madhe dhe respiratorët e parë do të dorëzoheshin në spitalet polake në prill dhe të fundit në qershor 2020, të cilët nuk erdhën kurrë. Kur media opozitare publikoi artikullin për mashtrimin në qershor, Łukasz Szumowski e hodhi poshtë.

“Kjo është gënjeshtër. Grupi i parë i respiratorëve ka mbërritur në Poloni, grupi tjetër do të arrijë këtë muaj. Këta janë respiratorë të një prodhuesi me reputacion, me të gjitha garancitë”.

Shpejt doli se deklarata e tij nuk ishte e vërteta.

Rezultoi se ministria kishte marrë vetëm 200 nga 1 mijë e 241 respiratorë të porositur dhe 418 të tjerë pas skadimit të kontratës. Këto ishin pajisje pa dokumentacion të duhur, pra të papërdorshme ose të ndryshme nga ato të porositura.

Skandali thellohet më shumë kur mediat polake mësuan se respiratorët nuk vinin nga prodhuesi, por nga një ndërmjetës tjetër në Pakistan dhe ishin të pajisur me priza britanike.

Tregtari i “vdekjes”

Ndërkohë, shumë shpejt u bë e qartë se kompania E&K ishte në pronësi të Andrzej Izdebski, i cili ishte një tregtar armësh me përvojë.

Mediat përcaktuan se ai ishte i përfshirë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe OKB-ja e kishte futur në një “listë të zezë” për kontrabandën e armëve në Angola dhe Liberi.

Mjaftonte të fusje adresën e kompanisë E&K në Google për të parë se selia e kësaj “ndërmarrjeje” nuk tregonte një kompani ndërkombëtare serioze dhe të lulëzuar.

Çdo gjë që nuk do të ishte problem për një student gazetarie gjatë një stazhi, me sa duket, i ka tejkaluar shërbimet speciale, të cilat duhet të kontrollojnë ofertuesit që lidhin kontrata me ministrinë. E megjithatë Agjencia e Inteligjencës së Jashtme dhe CBA dhanë për 73-vjeçarin rekomandimin e tyre. Deri më sot, nuk dihet pse.

Pas skandalit, Izdebski nuk u ndalua të largohej nga vendi çka bëri që ai të zhdukej, për tu marrë vesh më vonë që kishte përfunduar në Shqipëri.

“Zyra e Doganave dhe Taksave të Lublinit, me të cilën po hetojmë, ka vërtetuar se i dyshuari është larguar nga Polonia me rrugë ajrore në dhjetor 2020 dhe pas kësaj kohe nuk ka asnjë gjurmë të hyrjes së tij në vend”, tha prokurori Bartosz Wójcik.

Urdhri për arrestin e tij u lëshua më 21 mars 2022, ndërsa për më shumë se një vit ai ishte në gjendje të udhëtonte lirshëm nëpër botë dhe të bënte biznes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore