Lajme

Marrëveshje për përmirësimin e rrugëve kufitare mes Kosovë-Shqipëri


Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, në vijim të marrëveshjeve mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, ka thënë se do të nënshkruajnë një marrëveshje për studimin e gjendjes së përmirësimit të rrugëve që lidhen zonat kufitare mes dy shteteve.

Kjo ujdi, sipas tij, është e rëndësishme, për shkak se bëhet fjalë për zona të thella malore dhe për fshatrat që e kanë kufirin në mes.

“Kur zhvendosim kufi, si pasojë e tij Republika e Shqipërisë është dashur të ndërtojë qytete të tjera”, tha Aliu.

“Nëse malësia e Kosovës, Hasi, Luma e kanë pasur Prizrenin dhe Gjakovën si qytete të veta pas ndërtimit të kufirit është dashur të ndërtohet një qytet i ri i Kukësit, është dashur të bëhet Bajram Curri dhe shumë prej këtyre fshatrave i kanë më afër fshatin në anën tjetër të kufirit sesa mund ta kenë qendrën ku ata mund të shkonin”.

Ai ka thënë se marrëveshja, sipas së cilës lehtësohet kalimi kufitar “është në harmoni me marrëveshjen që po e bëjmë ne tani, që mundëson infrastrukturën e këtyre fshatrave të zhvillohet më mirë, të ketë transport”.

Nga ana tjetër, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku, tha se sa i përket marrëveshjes për studimin e gjendjeve të rrugëve të fshatrave që lidhin Shqipërinë me Kosovën do të ngrihet një komitet, i cili do të evidentojë problematikat.

Ajo foli edhe për marrëveshjen e bashkëpunimit për “Bashkëfinancimin e Studimit të Fizibilitetit për Ndërtimin e Linjës Hekurudhore Durrës–Prishtinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore