Shqipëria

Marrëveshje mes Shqipërisë dhe Bullgarisë për sigurimet shoqërore


Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje në Tiranë të mërkurën e 15 marsit me autoritetet bullgare për sigurimet shoqërore mes vendeve.

Lajmi u bë i ditur nga Ambasada e Shqipërisë në Sofje.

“Lajm i mirë për qytetarët shqiptarë dhe bullgarë: Marrëveshja për sigurimet shoqërore mes Shqipërisë dhe Bullgarisë u nënshkrua dje në Tiranë. Ajo shënon një tjetër sukses që garanton mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë”, shkruan diplomacia shqiptare.

Ambasadorja shqiptare në Bullgari, Donika Hoxha u shpreh se kjo mund të jetë baza ligjore për të bërë më shumë për “qytetarët tanë”.

“E nisur që kur mbërrita për herë të parë në Bullgari, më vjen mirë që marrëveshja për sigurimet shoqërore u nënshkrua dje në Shqipëri. Mund të jetë baza ligjore për t’u bërë më shumë për qytetarët tanë”, vëren diplomatja.

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë u vendosën në prill të vitit 1913 dhe më 10 tetor 1922, Konstadin Boshniak paraqiti Letrat Kredenciale si Kryetar i Legatës Shqiptare në Sofje.

Në mars të vitit 1954, Shqipëria dhe Bullgaria e ngritën përfaqësinë e tyre diplomatike në nivelin e ambasadave.

Nga fillimi i viteve ’60 e në vazhdim ambasadat e dy vendeve drejtoheshin nga të Ngarkuarit me Punë dhe më 25 janar 1988 u lidh një marrëveshje për shkëmbimin e ambasadorëve.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë kanë tradita të gjata dhe kontaktet mes njerëzve tanë janë të mira dhe intensive.

Traktati dypalësh për Miqësinë dhe Bashkëpunimin ofron bazën ligjore për zhvillimin bashkëkohor të marrëdhënieve.

Marrëdhëniet dypalëshe kanë evoluar ndjeshëm vitet e fundit dhe kontaktet e nivelit të lartë po mbahen rregullisht.

Katër vitet e fundit kanë shënuar shkëmbime në nivelin më të lartë.

Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev zhvilloi një vizitë shtetërore në Tiranë në mars 2020, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vizitoi Sofjen në qershor të vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore