Lajme

Marrëveshja që po mbahet e fshehur: “S’ka mekanizëm që ia ndalon kompanisë serbe të shtrihet në gjithë territorin” – Kosova rrezikon pushtimin energjetik


Besnik Bislimi dhe Albin Kurti - ne sfond logoja e kompanise serbe

“Nuk jam i bindur a mundet dikush ta kufizojë mos të ofrojë energji edhe në Prishtinë edhe kudo tjetër (kompaninë serbe të energjisë elektrike Društvo Elektrosever D.O.O.)” ka thënë njohësi i çështjeve të energjisë dhe ish-ministri i Kosovës, Fadil Ismajli, në një prononcim për Albanian Post. Është tregu i lirë në pyetje, “furnizuesit bëjnë kompeticion në mes vete, me çmim, me shërbime, me kujdes ndaj konsumatorit e kështu me radhë”. Kjo mund t’i ndodhë Kosovës me marrëveshjen për energjinë që po pritet të nënshkruhet në Bruksel. Kompania serbe mund t’i shtrijë shërbimet nëse regjistrohet si nën-kontraktor. Derisa, nëse do të funksionojë si operator në vete mund ta krijojë krejtësisht sistemin e vetë të shpërndarjes në gjithë territorin e Kosovës. Mund të caktojë vetë çmime të tjera, më të ulëta se këto ekzistueset. Për këtë marrëveshje qeveria nuk po flet. Për të njëjtën, sa ishte Vetëvendosje në opozitë kishte lëshuar komunikatë ku thuhej se “kjo marrëveshje po e rilidhë edhe më fuqishëm sistemin e Kosovës me atë të Serbisë, ku Kosova natyrisht është e nënvendosur”. Besnik Bislimi nuk po e kritikon më marrëveshjen, përkundrazi. Ka thënë se nuk do lëvizin nga ajo “asnjë presje”.

 Qeveria duhet ta bëjë pavarësinë sovranitet” ka pas thënë Albin Kurti në vitin 2011 duke iu referuar pamundësisë së Kosovës që ta kontrollojë veriun, prandaj një nga premtimet e tij si kryeministër pashmangshëm ishte edhe shtrirja e sovranitetit në atë pjesë.

Sikur Kurti të realizonte premtimin e shtrirjes së shtetit në Veri, operatori KEDS do të mund të operonte atje, derisa KESCO lirisht do ta bënte faturimin. Kështu qytetarët serbë do paguanin rrymën si në secilën pjesë tjetër të territorit të Kosovës.

Por, paramendimi i Kurtit si opozitar nuk e takoi dot realitetin e tij si kryeministër. Kosova s’ka sovranitet në Veri siç premtonte Kurti, organet e rendit nuk ia sigurojnë KEDS-it dhe KESCO-s operimin në atë pjesë dhe qytetarët serbë nuk e paguajnë rrymën.

Prandaj, mosrealizimi i premtimit tani kushton miliona euro. Vetëm në vitin 2021 plotë 41 milionë të tilla, meqë rryma në Veri nuk guxon të ndalet, sepse kështu Kosova do rrezikonte anëtarësimin e saj në Rrjetin e Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Evropës (ENTOS), pasi që nga viti 2017 përgjegjësinë për të mbuluar humbjet nga furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore të Kosovës, nga Kompania Furnizuese (KESCO) i është kaluar Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Nuk përfundon këtu.

Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2013 e kishte kritikuar ashpër Marrëveshjen e arritur me 19 prill ku në pikën 13 përmendej problemi me energjinë elektrike.

“Jemi shumë të brengosur, sepse as minimumi i interesave të Kosovës nuk janë mbrojtur atje”, ishte thënë menjëherë pas përfundimit të takimit ku ishte arritur marrëveshja.

Por, nëntë vjet më vonë, qeveria aktuale po lufton që të paktën ta ruajë këtë marrëveshje të arritur atëherë. Besnik Bislimi, numri dy i qeverisë dhe i pari i ekipit negociator në Bruksel, ka shkruar në Facebook se “çdo dakordim eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe njё presje pёrtej asaj qё tashmë është dakorduar nё Bruksel nё vitet 2013”.

Çfarë marrëveshje po arrin Kosova në Bruksel?

Nje nga takimet Kurti – Vucic ne bruksel

Në Kosovë do të futen kompani nga Serbia. Bëhet fjalë për kompaninëDruštvo Elektrosever D.O.O.”.

“Društvo Elektrosever D.O.O.” tashmë veç është regjistruar në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Pronare e vetme e kësaj kompanie që është në procedurat e licencimit në Kosovë është “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, kompania shtetërore e Energjisë Elektrike në Serbi.

Në faqen e vet zyrtare “Elektroprivreda Srbije” shkruan se është “një kompani e organizuar vertikalisht, e cila ka të drejta themeluese në dy filiale dhe tri ndërmarrje publike në Kosovë”. Me afër 29 mijë punëtorë “Elektroprivreda Srbije” është kompania më e madhe në Serbi, në të gjitha llojet e industrive.

Edhe në Kosovë edhe në Serbi është njoftuar se janë afër një marrëveshje, por vetëm kaq. Të dhënat e vetme janë ofruar të hënën e 13 qershorit kur Besnik Bislimi, pas shkrimit në Albanian Post, publikoi një status ku shkruante se “Društvo Elektrosever D.O.O.” do të bëjë vetëm “vendosjen e matёsve tё energjisё, mirёmbajtjen e matёsve, faturimin dhe inkasimin”.

Por, certifikata e kësaj kompanie e regjistruar në ARBK flet ndryshe.

Si aktivitet primar kjo kompani ka vendosur “Tregtinë e energjisë elektrike” dhe vetëm si aktivitet sekondar është dhënë “riparimi i pajisjeve elektrike”.

Rrjedhimisht, edhe me ligje të Kosovës, në momentin që licencohet kjo kompani, do të ketë të mundur të bëjë tregtinë e energjisë elektrike, pra furnizim me energji elektrike.

Bislimi në statusin e tij ka shkruar edhe se kjo kompani nga Serbia nuk do t’i ofrojë shërbimet e saja “pёrtej katër komunave nё veri tё Republikёs Kosovёs”. Por, edhe këtu Bislimi nuk tregohet krejtësisht i saktë.

Sipas ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe njeriut që i di çështjet e energjisë në Kosovë më mirë se kushdo tjetër, Fadil Ismajli, nuk ekziston një mekanizëm që ia ndalon kësaj kompanie veprimtarinë edhe në pjesë të tjera të vendit.

“Nuk jam i bindur a mundet dikush ta kufizojë mos të ofrojë energji edhe në Prishtinë edhe kudo tjetër”, thotë ai për Albanian Post.

“Kjo është me definicion, është furnizues”, shpjegon më tej Ismajli.

“Tregu i lirë çka është? Për me pas më shumë furnizues të cilët kanë me bo kompeticion në mes vete, me çmim, me shërbime, me kujdes ndaj konsumatorit e kështu me radhë”.

Fadil Ismajli, ish-minister

Megjithatë Ismajli thotë për AP se duhet të tregohet i rezervuar me komente, pasi qeveria sa i përket kësaj çështje vazhdon të qëndrojë hermetikisht e mbyllur.

“Nuk ka asgjë të dhëna, as nga KEDS-i as nga Qeveria. Gjithçka është me hamendësime”.

Bisedimet aktualisht në Bruksel

Burimi i Albanian Post brenda ekipit negociator të Kosovës në Bruksel ka sqaruar se aktualisht dilema është se a duhet të futen kompanitë serbe si nën-kontraktor të KEDS-it, apo si operatorë në vete.

Çka është dallimi?

Nëse kompania futet si nën-kontraktor i KEDS-it atëherë, meqë KEDS është pronar i rrjetit dhe aseteve të distribucionit në gjithë territorin e Kosovës, kompania serbe do të shfrytëzonte rrjetin e KEDS-it dhe do ta mirëmbante në vendet ku nuk futet dot KEDS.

Ndërsa, nëse kompania serbe futet si operator në vete, atëherë “Društvo Elektrosever D.O.O.”, do krijojë rrjetin e vetë dhe atë mund ta bëjë jo vetëm në Veri të vendit, por në gjithë territorin e Kosovës, sepse nuk ka ligj që ia ndalon një operatori shtrirjen e biznesit nëse veç është i regjistruar ligjërisht në Kosovë dhe ka licencë për operim.

“Kjo ka qenë lufta edhe atëherë edhe në vitin 2015. Por, kjo është vështirë të bëhet”, thotë Ismajli.

“Nëse i jep licencë atij dhe e regjistron si konsumator, e merr edhe prej KOSTT-it që i nënshtrohet rregullave të tregut e kështu me radhë. Vështirë është ta kufizosh. Por, edhe ai e ka shumë vështirë me hy në skemën e furnizuesit, sepse i duhet me e shtri rrjetin e vetë pastaj. Gjithmonë kemi luftu që, okej, nëse pranojmë atëherë do të jetë nën-kontraktor i KEDS-it, respektivisht ai tjetri me qenë gjithashtu një lloj agjenti i KESCO-s në qatë pjesë”.

Por, edhe nëse futet vetëm si nën-kontraktor për KEDS-in dhe agjent për KESCO-n, Ismajli tregon se mundësia për manovra është shumë e madhe.

“Kjo është, më lejo ta shpjegoj, ngjashëm, sikur çështja e Z-Mobile. Z-Mobile kur e kanë bë kontratën aty kanë qenë dallaveret e mëdha. Nuk e kanë kufizuar për një territor të caktuar edhe me thanë ‘ty po të lë këtë pjesë’”, ilustron Ismajli me shembullin që i kushtoi Kosovës miliona euro.

Tahiri: Çështja të shkojë në Kuvend

Edita Tahiri, dikur paraardhëse e Bisnik Bislimit si udhëheqëse e ekipit negocitor, ishte sulmuar me domate nga Vetëvendosje, për t’i lënë njolla turpi, meqë po nënshkruante “marrëveshjen e dëmshme me Serbinë”.

Edita Tahiri, ish-kryenegociatore

E pyetur nga Albanian Post, edhe ajo ngreh shqetësimin e njëjtë si të gjithë – s’ka transparencë.

“Qeveria Kurti nuk është fare transparente në lidhje me dialogun e Brukselit, prandaj në mungesë të informacionit nuk dihet se për çfarë marrëveshje është fjala. Këtë e di veç Kurti e Bislimi”.

Për këtë mos-llogaridhënie Tahiri pohon se “Kuvendi i Kosovës duhet të kërkojë transparencë në dialog nga qeveria, përndryshe mund të vijnë gjëra të papritura.

Marrëveshja që po mbahet e fshehur: Kosova mund ta humbë pavarësinë energjetike – futet krejtësisht në kontrollin e operatorëve serbë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore