Marrëveshja për burgjet me Danimarkën finalizohet pas punimeve teknike

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë takimit me homologun nga Danimarka, Peter Hummelgaard, ka njoftuar se në kuadër të marrëveshjes për strehimin në burgjet kosovare të burgosurve nga Danimarka janë transferuar 5 milionë euro për renovimin e burgut dhe ndërtimin e punëtorive të reja.
SHFLETO

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministri i Drejtësisë, Peter Hummelgaard

 

Altina Marmullaku
26.09.2024 14:31
Loading Icons...

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë takimit me ministrin e Drejtësisë nga Danimarka, Peter Hummelgaard, të enjten kanë përmendur edhe zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për burgun e Kosovës, pas ratifikimit të traktit mes dy vendeve.

“Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, janë transferuar 5 milionë euro për renovimin e burgut dhe ndërtimin e punëtorive të reja, një projekt i cili do të përfundojë brenda 18 muajsh”, thuhet në komunikatë.

Nga MD-ja është theksuar se projekti për renovimin e burgut dhe ndërtimin e infrastrukturës është hartuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“I cili tashmë ka nënshkruar kontratën për hartimin e specifikave teknike. Gjatë kësaj periudhe, përveç punimeve infrastrukturore, do të trajnohet stafi aktual dhe do të rekrutohet stafi i ri, sipas nevojave të përcaktuara në marrëveshje”.

Në njoftim thuhet se të dy ministrat kanë theksuar rëndësinë e Komitetit të Përbashkët Drejtues, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e plotë të marrëveshjes.

“Duke siguruar përmbushjen e standardeve për menaxhimin e burgut dhe përkujdesjen ndaj të burgosurve. Marrëveshja Bashkëpunuese ndërmjet dy vendeve do të finalizohet pas përfundimit të punëve teknike dhe do të rishikohet dy herë në vit”.

Më 23 maj, projektligji për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës është miratuar në Kuvendin e Kosovës – ndonëse e njëjta ishte kritikuar nga shoqëria civile kjo pasi sipas tyre në burgje mund të krijohen “standarde të dyfishta”.

Ministria e Drejtësisë në disa deklarata ka thënë se mospërkrahja e kësaj marrëveshje do të cenojë rëndë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës.

Çka përfiton Kosova nga marrëveshja me Danimarkën?

Përmes marrëveshjes me Danimarkën, Kosova parashihet t’i fitojë mbi 200 milionë euro.

Nga shuma 200 milionë euro sa parashihet të përfitonte Kosova 30 milionë planifikohen të shkojnë për energji të ripërtrishme, ndërsa pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Danimarka, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh.

Ndërsa, pagesa tjetër do të bëhet në norma tremujore, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, në pajtim me numrin e të burgosurve që objekti mund t’i strehojë..

Sipas Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.

Ndërkaq, udhëheqësit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100 për qind, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015.

Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh.