Kosova

Marrëveshja me Hungarinë – Kosova mund të marrë kredi deri në 62 milionë euro


Ministri i Financave, Hekuran Murati

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, gjatë ditë së mërkure ka miratuar ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj hungareze, ku Kosova do të mund të marrë kredi deri në 62 milionë euro nga qeveria hungareze.

Marrëveshja e cila buron nga programi kornizë për bashkëpunim financiar në mes të Kosovës dhe Hungarisë parasheh një kredi të butë që Qeveria Hungareze i ka ofruar Qeverisë së Kosovës.

Sipas Ministrit të Financave, Hekuran Murati, shuma e kredisë që Hungaria ka ofruar për Kosovën është 62 milionë euro, dhe se kredia do të shpenzohet për projekte të cilat akoma nuk janë përcaktuar, por që mund të jenë projekte për impiante të ujit e për infrastrukturë.

Ai ka treguar gjithashtu se qeveria hungareze ka kërkuar disa ndryshime lidhur me këtë amendament, dhe për këtë arsye është bërë edhe ri procedimi i këtij amendamenti.

“Ka disa ndryshime që janë kërkuar nga ministria hungareze. Dhe po e ri procedojmë edhe njëherë këtë amendament. Të gjithë hapat ligjor janë ndjekë për negocimin e Marrëveshjes. Bëhet fjalë për një kredi të butë që Qeveria Hungareze i ka ofruar Qeverisë së Kosovës. I vetmi ndryshim është që të zgjatet afati i pagimit të kredisë”, është shprehur Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore