“Marrëveshja me Danimarkën rrezikon të drejtat e burgosurve të Kosovës”

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), sërish ka kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen për strehimin në burgjet kosovare të burgosurve nga Danimarka. Ky mospajtim i tyre vjen për shkak se të burgosurit nga Danimarka kanë profile nga më të ndryshmet sa i përket veprave kriminale që kanë kryer.
SHFLETO

Burgu i Gjilanit, ku do të vuajnë dënimin të burgosurit nga Danimarka.

 

Altina Marmullaku
27.09.2024 15:03
Loading Icons...

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ndaj vizitës zyrtare të ministrit të Drejtësisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard, në Kosovë për të shënuar fillimin e rindërtimit të burgut në Pasjak të Gjilanit, duke thënë se KMDLNJ është duke bashkëpunuar me partnerë nga Danimarka për ta kundërshtuar këtë marrëveshje.

Kjo, pasi sipas tyre, “profili i të dëbuarve i takon kriminelëve të rrezikshëm, të papërmirësueshëm dhe recidivistë. Në mesin e tyre ka edhe ekstremistë fetarë”.

KMDLNJ ka ritheksuar qëndrimin e saj duke thënë se e kundërshton fuqishëm këtë marrëveshje.

“KMDLNJ ka kundërshtuar dhe e kundërshton këtë marrëveshje që rëndë shkel të drejtat e të burgosurve kosovarë dhe do të thërrasë publikisht familjarët e të burgosurve kosovarë të kundërshtojnë zhvendosjen e tyre në burgjet tjera kundër vullnetit të tyre”.

“KMDLNJ do të përkrahë të drejtat e të burgosurve kosovarë, që ato të drejta të jenë të njëjta me të drejtat e të burgosurve të dëbuar dhunshëm nga Danimarka dhe që do të vendosen dhunshëm në burgun e Pasjakut të Gjilanit”, thuhet nga KMDLNJ.

Ndërkaq, është thënë se vizita e ministrit danez të Drejtësisë është në funksion të legalizimit të dy sistemeve korrektuese brenda një shteti, prandaj nuk është e mirëseardhur.

Më 26 shtator, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë takimit me ministrin e Drejtësisë nga Danimarka, Peter Hummelgaard, të enjten kishin përmendur edhe zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për burgun e Kosovës, pas ratifikimit të traktit mes dy vendeve.

“Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, janë transferuar 5 milionë euro për renovimin e burgut dhe ndërtimin e punëtorive të reja, një projekt i cili do të përfundojë brenda 18 muajsh”, thuhet në komunikatë.

Nga MD-ja është theksuar se projekti për renovimin e burgut dhe ndërtimin e infrastrukturës është hartuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.