Kosova

“Marrëveshja Kosovë-Serbi të përqendrohet në njohje reciproke”


Joe Biden, President i SHBA-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili e ka uruar në emër të popullit amerikan për zgjedhjen në krye të shtetit.

Në letrën e Biden thuhet se ShBA-të mbështetësin vazhdimin e dialogut me Serbinë, e cila do të finalizohej me njohje reciproke.

“ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden dërguar Presidentes Osmani.

Sipas njoftimit për media Biden ka përmendur marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve dhe partneritetin e gjatë të rrënjosur në vlerat e përbashkëta, duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën.

Kreu i SHAB-së, ka përmendur të birin e tij Beau, i cili ka shërbyer në Kosovën në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane, siç thuhet në letër për “avancimin e paqes, si dhe sundimit të rendit e ligjit”.

“Më tej në letër, Presidenti Biden ka theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike”.

Po ashtu Biden i ka premtuar Osmanit se Kosova do të ndihmohet me furnizim me vaksinave kundër CVODID-19, pasi e Osmani kishte kërkuar ndihmë nga shteti amerika.

“Presidenti Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së Presidentes Osmani që SHBA-të të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Presidentes Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore