Lajme

“Marrëveshja e Brukselit për targat ka dy pasoja”


Kamionët e serbëve dhe protestuesit në Jarinje

Marrëveshja e arritur në Bruksel të enjten e 30 shtatorit, mes Kosovës dhe Serbisë për targat, e sipas së cilës Njësia Speciale e Policisë duhet të largohen nga Jarinja dhe Bërnjaku, bashkë me barrikadat, e të vendoset KFOR-i, për ish-kryetarit i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka dy pasoja.

“E para, i jep KFOR-it një mandat të sigurisë, pra jo mandat ushtarak, që u takon autoriteteve policore kosovare”, tha Hasani për Albanian Post, derisa sipas tij “e dyta, shtynë formimin e Ushtrisë së Kosovës sepse me këtë Kosova po tregon që nuk ka kapacitete për të ndërtuar struktura ushtarake neutrale dhe të besueshme sipas standardeve të NATO-s”.

Sipas tij, KFOR është këtu si “respondent i fundit në rast të çrregullimeve radikale shoqërore që rrezikojnë paqen dhe sigurinë rajonale dhe më gjërë”.

Hasani thekson se KFOR në Kosovë vepron sipas kërkesës shprehimore të autoriteteve të Kosovës.

“Kjo siç po ndodh tani nuk ka fare të bëjë me këtë mandat të KFOR-it, por me rikthimin e mandatit parësor të tij në një mandat që u takon organeve të sigurisë së Kosovës”.

Ndryshe misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është vendosur në Kosovë po ashtu në qershor të vitit 1999, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova.

Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani

Marrëveshja e arritur përmban tre pika

Pika 1: “Forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë, më 2 tetor në orën 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë”

Pika 2: “Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, siç është rënë dakord në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE si një masë e përkohshme derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme”.

Pika 3: “Do të krijohet një grup pune i përfaqësuesve të partive të BE -së, Beogradit dhe Prishtinës, dhe i kryesuar nga BE -ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e BE -së. Takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë”.

Marrëveshja për targat, Bruksel 30 shtator 2021

Kurti: Meqë bllokada po largohet, njësitë speciale s’kanë pse qëndrojnë në Veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar marrëveshjen me Serbinë lidhur me reciprocitetin për targa. Ai ka thënë se meqë bllokada po largohet, njësitë speciale s’kanë pse qëndrojnë në Veri.

“Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndërsa ka deklaruar se meqë targave të Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë.

“Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

 

Stoltenberg e pret Lajçakun në takim

NATO-ja është zotuar për implementimin e marrëveshjes që Kosova dhe Serbia kanë arritur të enjten për çështjen e targave, derisa për të biseduar për këtë çështje, këtë të premte do të takohen Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

“Misioni i NATO-s, KFOR-i, do të luajë rol kyç për të siguruar zbatimin efikas të marrëveshjes, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 që i dha mandat KFOR-it për të ofruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.

Në këtë reagimin thuhet se “NATO dialogun mes dy vendeve e sheh si rrugën e vetme për marrëveshje të qëndrueshme politike, të cilën e ka quajtur kyçe për stabilitet në rajon”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Bllokada në veri

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore