Lajme

Marrëveshja e Brukselit – 8 vjet pas


Një nga takimet në Bruksel mes Hashim Thaçit, Ivica Daçiç dhe Catherine Ashton

Ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës ajo që nxiti Serbinë të reagojë kundër saj. Ankesa e Serbisë e dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte se “shpalljen e anshme e pavarësisë së Kosovës nga autoritetet ‘lokale’ ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, mori një përgjigje negative nga GJND.

Pra, përgjigja e GJND-së ishte se akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës shtet nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, por as edhe Rezolutën 1244 të OKB-së.

Pas kësaj situate të krijuar, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori një rezolutë ku mbështetej fuqishëm dialogimi i dy palëve, asaj kosovare dhe asaj serbe.

Negociatat mes dy vendeve u koncentruan në zgjidhjen e çështjeve teknike mes tyre, nga lëvizja e lirë e qytetarëve deri tek çështjet e tjera si energjia, telekomunikimi, etj.

Për kryenegociatorin britanik Robert Kuper, kjo ishte një mundësi e mirë për të zgjidhur problemet mes dy palëve, por assesi pa pëlqimin e Uashingtonit.

Ai për Albanian Post në një intervistë më të gjatë ka deklaruar se “kurrë mos bëjë asgjë pa u siguruar se Uashingtoni është i lumtur”.

Pala kosovare ishte krejtësisht e pa përgatitur që të hyj në një dialog të shpejtë me Serbinë për t’i zgjidhur çështjet e hapura mes tyre, këtë e ka thënë edhe vet kryenegociatorja Edita Tahiri, mirëpo ajo çfarë e bëri të marrë këtë përgjegjësi ishte pikërisht përkrahja amerikane.

Ajo ishte ndër të pakët në vend që kishte takt dhe një përvojë të gjatë në politikë.

“Të dialogësh me armikun është gjithmonë një punë e vështirë dhe jo e popullarizuar, madje kritikuar”, është shprehur zonja Tahiri për Albanian Post.

Por, dialogu teknik i stërzgjatur filloi të duket si një kompromis i ‘madh’ nga opozita kosovare dhe si një humbje tereni, ndërsa gjuha e saj po fitonte dita ditës teren.

Si rezultat i dialogut teknik disa marrëveshjeve të nënshkruara nuk gjenin zbatim e disa prej tyre implementoheshin tashmë.

 

Marrëveshja që solli kriza

Kjo krijoi një momentum të ri, pra kalimin nga dialogu teknik në atë politik dhe si rezultat i kësaj, do të nënshkruhet më 25 gusht 2015 marrëveshja e cila njihet si “Marrëveshja për Asociacionin”. Por, kjo marrëveshje shpejt do të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese. Organi më i lartë juridik në opinionin e vet të dhënë lidhur me këtë çështje konstaton se 23 nene të “Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë” bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kjo ishte edhe pika e stopimit të dialogut në Bruksel. Nga njëra anë Serbia si palë nënshkruese kërkonte zbatimin e saj, kurse Kosova nga ana tjetër nuk mundte ta zbatonte sepse ajo shkelte Kushtetutën.

Për këtë në preambulën e kësaj marrëveshje thuhej qartë se marrëveshja bazohet qartë në Kushtetutë dhe në ligjet e Kosovës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje dhe opinioni i Gjykatës Kushtetuese për të do të shkaktoj skenës politike kosovare ndryshime të njëpasnjëshme.

 

Si shihet sot tetë vite pas ky proces nga njohësit e politikës?

Profesori i filozofisë, Blerim Latifi për Albanian Post, tetë vite pas, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk e sheh produktiv, pasi që konsideron se ishin disa arritje periferike por assesi thelbësore dhe shumë nga marrëveshjet e arritura nuk janë zbatuar asnjëherë pasi që shumë çështje esenciale të mosmarrëveshjeve shqiptaro-serbe nuk kanë qenë pjesë e bisedimeve.

“Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë i filluar tetë vite më parë me ndërmjetësimin e Brukselit nuk duket të ketë shënuar përparime substanciale në tejkalimin e mosmarrëveshjes midis dy vendeve. Janë arritur një sërë marrëveshjesh të vogla, të cilat në masë të madhe kanë mbetur të pazbatuara dhe kjo mund të shpjegohet me dy shkaqe të rëndësishme”, shpjegon Latifi.

“Shkaku i parë është se dialogu i Brukselit ka lënë jashtë tryezës së dialogut çështjen themelore të mosmarrëveshjes midis Kosovës e Serbisë, e cila është mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, ndërsa shkaku i dytë ka të bëjë me faktin se vetë ndërmjetësuesi i dialogut, Bashkimi Evropian ka qenë tejet i pafuqishëm për t’i lëvizur gjërat përpara. Shto këtu faktin se vetë Bashkimi Evropian qysh nga fillimi ka marrë pozicionin e neutralitetit në raport me pavarësinë e Kosovës”.

Mos adresimi i çështjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e BE-së ka qenë njëri nga gabimet e ndërmjetësimit në këto bisedime.

“Strategjia e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë pa adresuar çështjen e pavarësisë së Kosovës, në thelbin e saj ka qenë një strategji e pafrytshme dhe konceptualisht e pasaktë, sepse është e qartë se vetëm njohja reciproke e bën të mundur normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve. Nuk mund të ketë normalizim raportesh jashtë konceptit të njohjes.” është shprehur ai.

Mos prania aktive e SHBA-ve në këtë dialog ka vënë në pah pafuqinë e BE-së për t’i lidhur krye dialogut. Përplasja e subjekteve politike gjithashtu po shihet si një faktor që ka ndikuar në ngecjen e këtij dialogu.

“Faktori tjetër që ka ndikuar në rezultatet tejet të dobëta të dialogut Kosovë-Serbi është mospërfshirja aktive e Uashingtonit në këtë dialog. Kështu, që nga viti në vit dialogu erdhi duke u shndërruar në një riciklim të kotë takimesh, të cilat në fund të fundit i mundësuan Serbisë të imponojnë aty këtu idenë se çështja e Kosovës vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Gjithashtu, përplasjet e brendshme partiake në Kosovë rreth dialogut kanë ndikuar që pozicioni ynë shtetëror të dobësohet shumë përballë Serbisë. Në pikëpamjen time nëse janë tetë vite të humbura, janë tetë vite të shpenzuara në një dialog të ndërtuar keq, saqë sot duket qartë se gjërat nuk kanë lëvizur fare“, është shprehur profesori Latifi.

E ardhmja e dialogut mbetet e paqartë. Serbia kërkon që për të vazhduar dialogu duhet të funksionalizohet marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, derisa në anën tjetër Qeveria e Kosovës, e formuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë dhe vazhdon të jetë kundërshtuese në raport me këtë marrëveshje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore