Lajme

Marrëveshja e arritur në Bruksel për energjinë nuk po respektohet – Elektroseveri s’u ka qëndruar besnik afateve


Foto nga Albanian Post

Ka shumë gjasë që “ndryshimi i qëndrimeve për shkak të rrethanave të reja” dhe “pranimi i një marrëveshje të keqe në Bruksel me qëllim të përmirësimit të gjendje aktuale me energjinë” është një sakrificë e bërë kot nga Albin Kurti (kryeministër i Kosovës) dhe Besnik Bislimi (zëvendës/kryeministër).

Pajtimi i arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për Udhërrëfyesin për Implementimin e Marrëveshjes për Energjinë me 21 qershor në Bruksel ka mbetur – si gjithmonë – vetëm në letër.

Afatet që parashihen në udhërrëfyes për implementim nuk po respektohen – duke filluar nga i pari.

Në pikën dy të udhërrëfyesit thuhet se “brenda shtatë ditësh të pajisjes me licencë, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat e fundit të disponueshme të konsumatorëve në Veri, përmes Bashkimit Evropian”.

Jo shtatë, por kanë kaluar 12 ditë nga marrja e licencës së Elektroseverit nga ZRrE-ja dhe kompania serbe nuk ka dorëzuar, ashtu siç parashihet me marrëveshje, të dhënat për konsumatorë.

Marrëveshja e arritur në Bruksel.

Të pyetur nga Albanian Post nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë kanë treguar se nuk është respektuar ajo që është akorduar në marrëveshje.

“Kompania Elektrosever nuk i ka siguruar ende KOSTT-it të dhënat siç parashihet në pikën e dytë në Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Por, jo vetëm ky afat dhe jo vetëm kjo pikë.

Një dyzinë marrëveshjesh që pritej të nënshkruheshin në mes të Elektroseverit, KOSTT-it dhe KEDS-it nuk janë nënshkruar po ashtu.

Sipas pikës tre të marrëveshjes, “brenda 10 ditësh të pajisjes me licencë, Elektroseveri do të nënshkruajë marrëveshjen e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in në mënyrë që të operojë në tregun energjetik të Kosovës”.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë.

Jo vetëm kjo, “gjithashtu nënshkrimin për strukturën e marrëveshjes për pranimin e rregullave të tregut të elektricitetit me KOSTT-in”.

Kjo pikë detyron edhe që brenda 10 ditësh të nënshkruhet “Marrëveshja e ndërlidhjes me KEDS-in, dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për të mundësuar shërbimin e distribuimit (faturimin, ,mbledhjen, mirëmbajtjen fizike të lidhjeve të konsumatorëve të rinj), në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të artikullit 5 të marrëveshjes së 2013-së”.

Asnjë nga këto marrëveshje nuk është nënshkruar përkundër se ka kaluar afati i pajtuar në Bruksel.

“Marrëveshjet në fjalë janë nënshkruar nga ana e KOSTT në përputhje, format dhe standarde te këtyre marrëveshjeve te aprovuara nga ZRRE dhe janë dërguar për nënshkrim tek Elektrosever në afatin e paraparë sipas Udhëzuesit, por ende nuk i kemi pranuar versionet e njëjta të nënshkruara nga kompania Elektrosever. Jemi ne pritje te konfirmimit nga furnizuesi Elektrosever”, tregojnë nga KOSTT-i për Albanian Post.

Si palë nënshkruese në disa marrëveshje është edhe KEDS, por nga kjo kompani kanë thënë për AP-në se s’mund të përgjigjen tani dhe kanë sugjeruar dërgimin e pyetjeve me e-mail.

KEDS.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se do të kthehen përgjigjet prapa me shkrim, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti, përgjigje nuk janë pranuar edhe pas disa orësh pritje.

Albanian Post ka provuar të vë kontakt edhe me institucione të Bashkimit Evropian, meqë Elektrosever të dhënat pritej t’i dërgonte përmes BE-së, por nuk ka pasur përgjigje as nga BE.

Çfarë ndodhë nëse vazhdohet me mos-respektim të afateve?

Sipas njoftimit në ditën e arritjes së marrëveshjes apo pajtimin për udhërrëfyesin për zbatim të marrëveshjes, nëse nuk respektohen afatet, apo “në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre konkluzioneve të rëna dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës së furnizimit, ZRRE mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Eletrosever.

“Društvo Elektrosever D.O.O.” – kompania serbe që pritet të futet në Kosovë

Bëhet fjalë për kompaninë “Društvo Elektrosever D.O.O.”.

“Društvo Elektrosever D.O.O.” tashmë e regjistruar në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Pronare e vetme e kësaj kompanie është “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, kompania shtetërore e Energjisë Elektrike në Serbi.

Në faqen e vet zyrtare “Elektroprivreda Srbije” shkruan se është “një kompani e organizuar vertikalisht, e cila ka të drejta themeluese në dy filiale dhe tri ndërmarrje publike në Kosovë”. Me afër 29 mijë punëtorë “Elektroprivreda Srbije” është kompania më e madhe në Serbi, në të gjitha llojet e industrive.

Certifikata e kësaj kompanie e regjistruar në ARBK thotë se aktivitet primar kjo kompani ka “Tregtinë e energjisë elektrike” dhe vetëm si aktivitet sekondar është dhënë “riparimi i pajisjeve elektrike”.

Certifikata e regjistrimit e kompanisë serbe në Kosovë.

Sipas ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe njeriut që i di çështjet e energjisë në Kosovë më mirë se kushdo tjetër, Fadil Ismajli, nuk ekziston një mekanizëm që ia ndalon kësaj kompanie veprimtarinë edhe në pjesë të tjera të vendit.

“Nuk jam i bindur a mundet dikush ta kufizojë mos të ofrojë energji edhe në Prishtinë edhe kudo tjetër”, thotë ai për Albanian Post.

“Kjo është me definicion, është furnizues”, shpjegon më tej Ismajli.

“Tregu i lirë çka është? Për me pas më shumë furnizues të cilët kanë me bo kompeticion në mes vete, me çmim, me shërbime, me kujdes ndaj konsumatorit e kështu me radhë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore