Shqipëria

Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe telegrami i Romës


Më 13 dhjetor të vitit 1921, ambasadori amerikan në Romë, Richard W. Child do të dërgonte një telegram që do t’i hapte rrugën ndërtimit të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Child referon për kohën se anëtarët e delegacionit shqiptar – para se të largoheshin nga Italia – deklaruan në një takim jozyrtar se njohja ishte akorduar nga përcaktimi i Shqipërisë në Këshillin e Ambasadorëve.

Këta të fundit, nuk ishin të qartë për të paraqitur njohjen e qeverisë de jure.

Sipas ambasadorit amerikan, ata kërkonin që pas çdo njohjeje të dhënë nga fuqitë e tjera, Shtetet e Bashkuara të jepnin çfarëdo njohjeje të shpejtë.

“Ata përfaqësojnë bindjen se Shqipëria është gati për koncesionin e të drejtave të vlefshme të naftës dhe se propozimi më i pjekur, i cili ende nuk është konfirmuar nga Këshilli Shqiptar apo Parlamenti, është ai për një koncesion grupit britanik D’Arcy”, sjell në vëmendje Child.

Politika shqiptare, thonë ata, duhet të marrë parasysh vlerat politike ndërkombëtare që rrjedhin nga kombësia të cilës i jepen koncesionet.

Duke iu kthyer telegramit, autoritetet shqiptare i jepnin Italisë, avantazhin politik më të madh në Shqipëri.

Richard W. Child
Përvijimi i situatës

Që nga dhjetori 1921, SHBA-të do të përballeshin me vlerësime dhe rivlerësime të qeverive të ndryshme shqiptare.

Kjo, për të përcaktuar fizibilitetin si dhe kohën e njohjes de jure, pas shqyrtimit të kushteve në Shqipëri.

Më tej, autoritetet do të vërenin stabilitetin e atyre që kanë autoritet apo interesat ekzistuese ose të mundshme amerikane.

Në korrik të vitit 1922, Sekretari Amerikan i Shtetit, Charles Evans Hughes, përfundoi me shpejtësi aksionin për njohjen e një qeverie shqiptare.

Njohja u bë në dritën e paralajmërimeve – marrë në prill 1922 – nga ambasadori Child në Ambasadën Amerikane të Romës.

Ai kishte shprehur, asokohe, frikën se do të dëmtoheshin interesat amerikane në Shqipëri, nëse vendet e tjera fitonin herët epërsi atje.

Charles Evans Hughes
Konkluzionet e njohjes

Sekretari i Tregtisë Herbert Hoover në Washington, kishte arritur në të njëjtin përfundim.

Kjo, pasi kishte biseduar me një përfaqësues të kompanisë së naftës Sinclair që po negocionte për një koncesion të naftës shqiptare.

Sekretari Hoover, në letrën e tij të datës 26 prill 1922 drejtuar Sekretarit Hughes, kishte vënë në dukje njohjen e Qeverisë Shqiptare nga Anglia dhe Italia.

Më pas, do i kërkonte zyrtarit amerikane që “të merrte në konsideratë seriozisht njohjen e Shqipërisë”.

Në 22 maj të vitit 1922, Hughes iu përgjigj letrës së Hoover-it, se ndihma për interesat amerikane ishte në rrugë e sipër.

Xhafer Ypi

Personi i ngarkuar me këtë detyrë ishte Konsulli i Përgjithshëm Blake, dikur Agjent Diplomatik dhe Konsull i Përgjithshëm në Tangier.

Me rekomandimin e Blake për “përshtatshmërinë e njohjes amerikane të Shqipërisë”, u nënshkrua një marrëveshje në favor të interesave tregtare amerikane.

Protagonist do të ishte kryeministri i kohës, Xhafer Ypi. Hughes telegrafoi Blake më 25 korrik duke e njoftuar se ai mund të përvijonte njohjen de jure tre ditë më pas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore