Lajme

“Marrëdhëniet pozitive Kosovë-Serbi vendimtare për rajoni, jemi lodhur duke na quajtur ‘fuçi baruti’”, thotë ministri maqedonas


Oliver Spasovksi

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovksi, ka thënë këtë të shtune se marrëdhëniet pozitive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë ndikim vendimtar për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Spasovski ka deklaruar se Marrëveshja Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e dakorduar fillimisht në Bruksel, dhe e përforcuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, “është vlerësuar si një arritje e madhe me kontribut rajonal”.

“Shumë konflikte dhe luftëra penguan zhvillimin e rajonit tonë dhe të vendeve tona. Është e qartë se siguria është baza e zhvillimit të një vendi, por edhe e një rajoni”, ka potencuar ai, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.

Ministri maqedonas theksoi se jemi lodhur duke na quajtur “fuçi baruti”, një shprehje e përdorur nga studiuesi i Ballkanit, dhe autori i librit “Histori e Ballkanit”, George Castellano.

Siç mendon ai, “është koha që rajoni i Ballkanit Perëndimor të bëhet shembull i një rajoni të sigurt”, dhe kjo sipas tij “pa çështje të hapura”, dhe me marrëdhënie “të mira fqinjësore dhe bashkëpunim më të fortë rajonal”.

“Në fund të fundit, ne të gjithë kemi një qëllim – të jemi pjesë e familjes evropiane, të zbatojmë vlerat evropiane dhe të ofrojmë një standard më të mirë jetese”, nënvizoi Spasovski.

Këto komente ai i bëri në kohën kur në Veri të Kosovës po mbizotëron një situatë e tensionuar. E gjithë kjo pasi që kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet 23 prill, Qeveria mori vendim që Policia t’i asistoi për t’i future në zyrat e tyre, çka shkaktoi reagimin e ashpër të serbëve lokalë, të cilët ishin tejet të dhunshëm në kundërshtimet e tyre.

Policia e Kosovës u detyrua që të përdorë gaz lotsjellës dhe shok bomba për t’i shpërndarë protestuesit e dhunshëm serbë.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën, ku protestuesit e dhunshëm serbë u përleshën me ushtarët paqeruajtës të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga sulmet e dhunshme të serbëve mbetën të lënduar 41 ushtarë, pjesa më e madhe e të cilëve ishte italianë dhe hungarezë.

Ndërkaq, nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë kundërshtuar Qeverinë e Kosovës për vendimin që kryetarët të vendosen në zyrat e tyre, madje nga ShBA-të u theksua se kjo mund të ndikonte në marrëdhëniet në mes të dy vendeve.

Në një takim të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, nga këta të fundit u kërkua që Kosova duhet të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat Veriore, dhe po ashtu kërkuan që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore