Shqipëria

“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë historike”


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në takim me Komisionin nga Shqipëria.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, është takuar me Komisionin për Integrime Evropiane në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë me të cilët ka diskutuar për rrugët e integrimeve evropiane për të dy vendet.

Në komunikatë për media nga MPJD, thuhet se do të vazhdojë bashkëpunimi mes këtyre dy vendeve për të gjitha drejtimet.

“Kosova dhe Shqipëria kanë aspirata të përbashkëta në rrugën e integrimeve evropiane. U theksua domosdoshmëria e thellimit të bashkëpunimit në çdo sferë dhe shkëmbimit të përvojave të dy shteteve tona, si në aspektin e integrimeve evropiane, ashtu edhe në unifikimin e politikave për diasporën”, është thënë nga MPJD.

Tutje, thuhet se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk kanë vetëm “karakter partneriteti”, por ato janë edhe “historike”.

“Këto marrëdhënie duhen zgjeruar përmes projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme, të dala nga takimet dhe marrëveshjet mes dy qeverive tona”.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në takim me Komisionin nga Shqipëria.

Nga MPJD-ja theksohet se do të vazhdojnë të rrisin bashkëpunimin rajonal, duke e konsideruar Procesin e Berlinit si “rrugë për integrim”.

“Kosova është e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, si palë e barabartë, dhe ndjek interesat e saj strategjike përmes bashkëpunimit rajonal, duke konsideruar Procesin e Berlinit si rrugë për integrimin e të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian”.

Edhe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me një delegacion të Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët kanë qenë të shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Përmes njoftimit nga Zyra e Kryeministrit është thënë se në këtë takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e integrimit evropian dhe politikës së jashtme.

Më 13 shkurt, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me delegacionin e Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me të cilët ka diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Konjufca ka thënë se u është mirënjohës deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Diskutime të dobishme për zhvillimet aktuale politike dhe çështje me interes të përbashkët, shkëmbimin e përvojave dhe intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar”.

“Mirënjohës dhe falënderues ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen e deritashme dhe bashkërendimin e hapave në të ardhmen drejt integrimeve evropiane dhe evroatlantike, si dhe anëtarësimin e shtetit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka shkruar Konjufca.

Tutje, Konjufca është shprehur se rrugët drejt Evropës do t’i ndjekin të bashkuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore