Përballje

Maqedonia e Veriut befason Gjermaninë, fitore minimale nga Anglia, Franca dhe Italia


Pa dyshim që befasia më e madhe e ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës, është Maqedonia e Veriut.

Maqedonasit mposhtën në udhëtim 1:2 gjigantin botëror Gjermaninë, ndërsa vlen të ceket që skuadra e drejtuar nga Angelovski u paraqit në fushë me plotë pesë futbollistë me origjinë shqiptare.

Në dy golat e shënuar nga Maqedonia e Veriut, ishin mesfushorët shqiptarë Enis Bardhi dhe Arijan Ademi që asistuan.

Ndeshja nisi më mirë për gjermanët, të cilët dominuan në tërësi lojën, deri sa në minutën e nëntë, Leon Goretzka ishte i pafat teksa goditi shtyllën.

Pas shumë rasteve të shpërdoruara nga vendasit, ishte veterani maqedonas Goran Pandev i cili gjendet i lirë në zonë pas një asistimi perfekt nga Enis Bardhi, për të shënuar për epërsinë 0:1 në minutat shtesë të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, përsëri gjermanët ishin ata që mbizotëruan lojën, teksa në minutën e 61-të, Alioski bën një ndërhyrje të gabuar në zonë, duke shkaktuar penallti, të cilën e konkretizoi Ilkay Gundogan.

Kur të gjithë menduan se Gjermania do të shkoj drejt tre pikëve të reja, ishte futbollisti i Napolit Elif Elmas, i cili shënoi gol, pas asistimit të Arijan Ademit, pesë minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Me këtë fitore, Maqedonia e Veriut ngjitet në vendin e dytë në tabelën e grupit J, ndërsa Gjermania mbetet një pozitë më poshtë, me pikë të barabarta, deri sa me pikë të plota në këtë grup është Armenia, e cila pozicionohet në vendin e parë.

Në Grupin e Shqipërisë, Anglia fitoi 2:1 përballë Polonisë, që luajti në këtë transfertë pa sulmuesin kryesor, Robert Lewandowski.

Anglia kaloi në epërsi në minutën e 19-të përmes penalltisë të cilën e ktheu në gol, sulmuesi i Tottenham, Harry Kane.

Pjesa e parë përfundoi në epërsi të anglezëve, teksa në minutën e 58-të, mysafirët barazuan përmes mesfushorit Jakub Moder.

Gjithsesi “Tre Luanët” gjetën golin e fitores pesë minuta para mbylljes së takimit, me anë të qendër mbrojtësit Harry Maguire.

Me këtë fitore Anglia renditet në vendin e parë të grupit I me pikë të plota, ndërsa pas saj pozicionohen Hungaria e cila mposhti 1:4 Andorrën, dhe Shqipëria që fitoi 0:2 ndaj San Marinos.

Në grupin C, Italia fitoi në udhëtim të Lituania, ku shënuan Stefano Sensi në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa epërsia u dyfishua vetëm në sekondat e fundit të lojës përmes Ciro Immobile, i cili shënoi nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Italia mban vendin e parë në tabelë, me 9 pikë, pas tre ndeshjeve të luajtura, ndërsa në vendin e dytë pozicionohet Zvicra, e cila ka një lojë më pak të zhvilluar.

Në sfidën e vetme të Grupit D, Franca triumfoi me vështirësi në fushën e Bosnjë Hercegovinës, deri sa golin e vetëm të fitores e gjeti në minutën e 60-të përmes futbollistit të Barcelonës, Antoine Griezmann.

Me këto tre pikë, “Gjelat”, mbajnë vendin e parë në tabelë, ku pas tre ndeshjeve kanë grumbulluar shtatë pikë, ndërsa në vendin e dytë pozicionohet Ukraina e cila në tre lojë të zhvilluara, ka po aq barazime.

Më poshtë të gjitha rezultatet e së mërkurës, në eliminatoret e Botërorit.

Armeni – Rumani  3:2

Andorrë – Hungari  1:4

Austri – Danimarkë  0:4

Bosnjë Herzegovinë – Francë   0:1

Angli – Poloni    2:1

Gjermani – Maqedoni e Veriut  1:2

Greqi – Gjeorgji  1:1

Lihtenshtajn – Islandë  1:4

Lituani – Itali  0:2

Moldavi – Izrael  1:4

Irlandë e Veriut – Bullgari  0:0

San Marino – Shqipëri   0:2

Skoci – Ishujt Faroe 4:0

Spanjë – Kosovë   3:1

Ukrainë – Kazakistan   1:1

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore