Lajme

Maqedonia e Veriut/ Sinjalistika rrugore edhe shqip


Ejup Rustemi

Tabelat e sinjalistikës rrugore, në territorin e Maqedonisë së Veriut, do të jenë të shkruara edhe në gjuhën shqipe.

Më herët drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë së Veriut”, Bekim Mehmeti, kishte deklaruar se gjuha shqipe do të vendoset në të gjitha tabelat rrugore.

Ky vendim vjen si kordinim mes Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë së Veriut”dhe Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”.

Aktualisht po punohet për të vendosur gjuhën shqipe në sinjalistikën rrugore të qyteteve si Strica, Kumanova, Dojrani dhe Ohri. Vendimin e ka nënshkruar vetë drejtori i NP-së për Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemi.

Në 2013-ën, Inspektorati i ministrisë së Transportit maqedonase, kishte urdhëruar heqjen e tre tabelave rrugore që ishin shkruar në gjuhën shqipe.

Sipas Inspektoratit, përdorimi i këtyre shenjave rrugore është i paligjshëm, pasi ato janë shkruar në shqip, diçka që ligji nuk e lejon.

Vendimi u kundërshtua nga zëvendësministri i Transportit, Xhelal Bajrami, i cili tha se këto shenja rrugore nuk do të hiqen.

Një problem i kësaj natyre po haset dhe në tekstet shkollore, ku ka gabime dhe shtrembërime të fakteve historike për shqiptarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore