Lajme

Maqedonia e Veriut: Mosrespektimi i të dielës pushim do të dënohet


Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë me dije të enjten, më 5 shkurt, se do të ketë dënime  për ato biznese apo administrata, që nuk do ta respektojnë ditën e dielë si ditë pushimi (jopune). Këtë e ka paralajmëruar qeveria, pas seancës së ditës së premte të Këshillit Ekonomik Social.

“Nisma ‘e diela ditë jopune’ është zgjidhje ligjore për arritjen e barazisë sociale dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, deklaroi qeveria. Ajo theksoi se është është shqyrtuar teksti për zgjidhjen ligjore të kësaj nisme.

Qeveria nënvizoi se për funksionimin normal të shtetit, do të ketë mundësi që subjekte punëdhënëse të caktuara të punojnë në veprimtari të caktuara, duke dëshmuar paraprakisht se nuk do të mund të ndërpritet procesi prodhues.

“Punëdhënësit nuk do të lejohen të punojnë, në raste se do të shkelin ligjin për të punuar të dielën, atëherë do të pasojnë dënime të ashpra”, paralajmëroi qeveria.

U paralajmërua gjithashtu që punëdhënësit duhet të paguajnë punëtorët që punojnë të dielën, në bazë të ligjeve dhe marrëveshjes kolektive. Punëdhënësit do të duhet të caktojnë një ditë tjetër të javës për ‘pushimin e së dielës”.

“Propozim-ligji për marrëdhënie pune, pjesë e së cilës është zgjidhja ‘e diela ditë jopune’ është akoma në përpunim dhe po konsultohet me të gjitha palët”, ka raportuar qeveria.

Kujtojmë se kjo ka qenë një nismë e marrë nga Ministrja e Punës dhe Politikës Pociale, Jagoda Shahpaska. Gjatë muajit nëntor ajo zhvilloi takime me të gjitha palët e interesuara, deri në arritjen e një zgjidhje e cila sipas ministres, do të ishte e pranueshme për të gjithë.

 “Do të bisedojmë me sindikatat, dhomat e tregtisë, organizatat dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Financave, shoqërisë informatike, me qëllim gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për të gjithë”, ka shkruar ministrja Shahpaska në median sociale “Facebook”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore