Lajme

Maqedonia e Veriut kryesuese e Kartës së Adriatikut për vitin 2023


Bujar Osmani

Në Takimin Ministror të Shteteve të Bashkuara – Karta e Adriatikut, që u mbajt në Podgoricë të Malit të Zi, kryediplomati Bujar Osmani, njoftoi se kryesimin e Kartës për vitin 2023, kur dhe shënohet 20 vjetori i themelimit të saj, do ta marr Maqedonia e Veriut.

Në fjalimin e tij, Osmani theksoi rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit rajonal dhe nevojën e forcimit të kontributit të përbashkët rajonal në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit, duke nënvizuar edhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve.

“Maqedonia e Veriut, si vend anëtar i NATO-s, do të vazhdojë me kontributin e saj aktiv në ruajtjen e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, që është dhe prioriteti ynë kryesor i politikës së jashtme”.

“Vendi ynë është fuqimisht i përkushtuar për promovimin e vlerave euroatlantike, si dhe mbështetjen e anëtarëve të tjerë të Kartës në realizimin e aspiratave të tyre euroatlantike”, deklaroi Osmani.

Para fillimit të Takimit Ministror të A5, Osmani mbajti një konferencë të përbashkët për media me Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në të cilën prezantoi qëllimet e kryesimit të Kartës nga Maqedonia e Veriut.

“Si kryesues i ardhshëm i A5, tashmë po marrim iniciativë për revitalizimin e mëtejshëm të Kartës. Qëllimi është jo vetëm ta forcojmë, por edhe t’i japim A5 rolin e duhur në rajonin tonë”.

“Në një farë mënyre, përmes një koncepti të ri, apo një narrative të re, të bëjmë një përshtatje të qëllimeve dhe misionit të Kartës, sipas sfidave të reja gjeopolitike dhe rrethanave të reja në të cilat ndodhet rajoni”, shtoi ai.

Njëherit, Osmani potencoi se Maqedonia e Veriut ka mbështetjen e qartë të SHBA-së për rivitalizimin e A5, që është në funksion të ballafaqimit më efikas të vendeve të rajonit me sfidat aktuale.

“Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës ka krijuar rrethana komplekse gjeopolitike dhe arkitekturë të rrënuar të sigurisë, si rrjedhojë kryesimi me organizatat e sigurisë paraqet një sfidë të veçantë për ne”.

Ndryshe, në fokus të bisedimeve ishte stabiliteti i Ballkanit Perëndimor në kontekst të situatës aktuale të sigurisë, sfidave me të cilat përballet rajoni dhe mënyrave për të forcuar qëndrueshmërinë e shoqërive ballkanike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore