Lajme

Maqedonia e Veriut dhe Komisioni Evropian nënshkruajnë marrëveshjen e parë në gjuhën maqedonase


Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Komisioni Evropian, të mërkurën e 26 tetorit, kanë nënshkruar Marrëveshjen për ‘Frontex’, marrëveshja e parë në gjuhën maqedonase.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, Komisionerja Evropiane për Punë të Brendshme, Ilva Johannson dhe ambasadori i Cekisë në Shkup, Jaroslav Ludva, në prani të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe Presidentes së KE-së, Ursula Von der Leyen.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të parë ndërmjet Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian është në gjuhën maqedonase, pa asnjë yll dhe fusnotë, përveç gjuhëve të shteteve anëtare të BE-së, është vërtetim i aktit për respektimin e gjuhës maqedonase dhe identitetit maqedonas nga ana e BE-së”, raporton mediumi maqedonas “Republika”.

Marrëveshja ‘Frontex’, në nivel operacional, do të mundësojë mbrojtje më të mirë kuftiare, vendosje të shpejtë të personelit dhe pajisjeve të ‘Frontex’ ose të policëve të huaj në pikat kufitare.

Po ashtu, ofrohen informacione dhe të dhëna, duke përfshirë inteligjencën operacionale, të dhënat e inteligjencës, produktet e vëzhgimit me video dhe ajrore, imazhet satelitore dhe të ngjashme.

Ndryshe, më 13 tetor, Këshilli i BE-së mori një vendim për të nënshkruar Marrëveshjen ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut për menaxhimin e kufijve, pasi Sofja zyrtare praktikisht tërhoqi veton e saj.

Të gjitha vendet e tjera të rajonit që kanë marrëveshje me Frontex-in e kanë nënshkruar në gjuhët e tyre, kështu që ajo formulë është aplikuar edhe në këtë rast me përdorimin e gjuhës maqedonase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore