Kosova

Manuel Sarrazin: Kosova s’mund të ketë marrëveshje më të mirë se kjo e propozuar nga BE


Manuel Sarrazin, Emisar i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se propozimi aktual i Evropës për dialogun Kosovë-Serbi, është marrëveshja më e mirë e mundshme që Kosova ka mundur ta ketë në tavolinë.

“E kuptoj se mund të ketë shqetësime të formulimeve të ndryshme, është gjë fisnike, është Marrëveshje shumë e rëndësishme për Kosovën dhe duhet të trajtohet”.

“Ka dy gjëra shumë të rëndësishme, së pari ajo është publike dhe mund të lexohet, sigurisht se mund të ketë vlerësim secili”, ka thënë ai për televizionin publik të Kosovës.

Emisari gjerman është i bindur se kjo është marrëveshja më e mira në kuptimin e organizimit që mund të arrihet.

“Nuk besoj se mund të kishte formulim më të mirë për interesat e Kosovës në atë marrëveshje e që do të ishte realiste për të arritur në proces”.

“Pra është krejtësisht e qartë, nëse kjo marrëveshje do të refuzohet nga Kosova, nuk do të ketë asnjëherë marrëveshje më të mirë në tryezë, nuk do të thotë ta pëlqeni, të jetë e përkryer. Nusja nuk do të thotë se është shumë e bukur, por martesa duhet të bëhet, ndoshta marrëveshja nuk është krejtësisht e duhura, ose më e mira e mundshme, mirëpo duhet të shihen mundësitë e së ardhmes që përqafohen nga kjo marrëveshje”, ka thënë ai.

Emisari gjerman ka shtuar se pala Kosovare është gjithmonë e fortë, përderisa arrin t’i thotë po kësaj marrëveshje.

Për Asociacionin, ka theksuar se duhet të ketë qasje pozitive dhe të jepet një mundësi pozitive dhe sipas tij nuk ka rrezik për integritetin e Kosovës dhe sovranitetin. Ai ka siguruar se qëndrimi gjerman është shumë i qartë për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

Për përmbajtjen e Planit evropian Kosova dhe Serbia u pajtuan më 27 shkurt në takimin në Bruksel. Palët do të diskutojnë më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për implementimin e planit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore