Biznes

Manjati izraelit i diamanteve dënohet për korrupsion në Zvicër


Gjykata e Gjenevës dënoi të premten manjatin izraelit të diamanteve dhe mineraleve, Beny Steinmetz. Ai u akuzua për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh.

Steinmetz, i konsideruar si njeriu më i pasur i Izraelit, u dënua me pesë vite burg, pasi u përball me mundësinë e një dënimi dhjetë vjeçar.

Manjati 64 vjeçar ka mohuar akuzat. Akuzat datojnë nga mesi i viteve 2000 dhe përfshijnë Grupin BSGR të Steinmetz-it. Grupi akuzohet për presionimin e një rivali për të dalë nga gara për të drejtat e minierave. Minierat ndodhen në rajonin juglindor të Guineas dhe njihen për depozita të mëdha të hekurit.

Çështja u përqëndrua në pagesa të pretenduara për një ish-grua të Presidentit të ndjerë të Guinea-s, Lansana Conte. Gjatë hetimeve u ekspozuan marrëveshje dhe komplote në biznesin fitimprurës të minierave.

Gjykata e Gjenevës pretendoi se Steinmetz dhe dy të pandehurit e tjerë u përfshinë në korrupsion të zyrtarëve të huaj dhe falsifikim të dokumenteve. Veprimet e të akuzuarve kishin qëllim për t’i fshehur autoriteteve dhe bankave pagesat e ryshfetit. Disa nga fondet dyshohet se kanë kaluar në Zvicër dhe çështja është hetuar në Evropë, Afrikë dhe SHBA.

Steinmetz akuzohet se në 2005, krijoi një pakt korrupsioni me Conte-n, i cili drejtoi Guinea-n nga 1984 deri në vdekjen e tij në 2008. Pakti përfshin gruan e katërt të presidentit, Mamadie Toure, në një pagesë prej gati 10 milionë dollarësh.

Sipas burimeve zyrtare, BGSR fitoi licencat e kërkimit dhe shfrytëzimit në Guinea midis 2006 dhe 2010 në rajonin Simandou. Në këtë periudhë, konkurrenti i BGSR-së, grupi minerar anglo-australian Rio Tinto, u privua nga korriku në dhjetor të vitit 2008 nga koncesionet për minierat./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore