Shqipëria

Manja vendos si objektiv “personal” zbatimin e hartës së re gjyqësore


Ministri i Mbrojtjes, Ulsi Manja, deklaroi se për vitin 2023 objektivi i tij kryesor do të jetë zbatimi i hartës së re gjyqësore.

Kjo e fundit do të zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për shtyp, lidhur me bilancet e këtij institucioni.

Manja sqaroi se zbatimi i kësaj VKM-je fillon më 1 shkurt me riorganizimin e gjykatave të apelit.

Do të vazhdohet me riorganizimin e gjykatave të shkallës së parë dhe do të përmbyllet në korrik të vitit 2023 me riorganizimin e gjykatave administrative të shkallës së parë.

“Miratimi i hartës së re gjyqësore”, cilësoi zyrtari shqiptar, “ka qënë një arritje e jona sa i përket politikave në fushën e drejtësisë”.

Ndërtimi i ngjarjes

Gjatë një deklarate për mediat në korrik të vitit 2022, Manja do të njoftonte miratimin zyrtar të hartës së re gjyqësore.

Sipas tij, ky vendim i këshillit të ministrave do të përfshinte 13 gjykata të shkallës së parë, një apeli dhe dy administrative të shkallës së parë.

“Është hap i rëndësishëm. Është bashkëpropozim i KLGJ dhe Ministrisë së Drejtësisë”, do të shprehej zyrtari i drejtësisë.

Manja theksonte asokohe se implementimi do të bëhet me faza.

“Harta e re do të standardizojë kohën e mesatares së dhënë të vendimit, do të ulë kostot e dhënies së drejtësisë. Këtë fazë tranzitore do ta shfrytëzojmë për ndërgjegjësim dhe përfshirje të qytetarëve”, vërente Manja.

Por, avokatët do të ngriheshin në protestë para KLGJ-së për të kundërshtuar hartën e re gjyqësore.

Për javë të tëra, ata bojkotuan seancat gjyqësore dhe masat e sigurisë.

Në një deklaratë për mediat, kreu i Dhomës së Avokatisë Kombëtare, Maks Haxhia garantonte se çështja do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne ju sigurojmë që harta do krijojë problematika dhe nuk do të jetë e arritur, ju falënderoj për pjesëmarrjen. Kemi paraqitur argumente që drejtësia të jetë e realizueshme dhe qytetarët të kenë akses. Kemi propozuar shumë variante që janë të realizueshme dhe rezultatet janë bindëse”, shprehej juristi.

Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë patën theksuar se nuk do të “lëshojnë pe” sa i takon miratimit të hartës.

Kjo gjë ishte paralajmëruar edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përtej kontestimeve u shpreh i habitur ndaj individëve, të cilët kërkonin të bllokonin procesin.

Kreu i Qeverisë e bëri të qartë se Këshilli i Ministrave mbetej i hapur për çdo diskutim dhe çdo ankesë që kanë komuniteti i avokatëve apo gjetkë.

Harta e re

KLGJ-ja, pasi ngriti një Grup Ndërinstitucional për të kryer vlerësimin e sistemit gjyqësor, miratoi hartën e re gjyqësore, në të cilën parashikohet një reduktim i numrit të gjykatave në vend.

Sipas hartës së re, vendi do të ketë 13 gjykata nga 22 që ishin më parë.

Ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë dhe një gjykatë apeli.

Në deklaratën e KLGJ-së shkruhej se, “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Po ashtu, KLGJ-ja e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore