Shqipëria

Manja: Kërkesa e performancës ndaj institucioneve gjyqësore nuk cenon pavarësinë e tyre


Gjatë një konference për shtyp, ku i pranishëm ka qenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se kërkesa e performancës së institucioneve gjyqësore është përgjegjësi e jona që “nuk cenon” pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Në vazhdim të argumentit të kryeministrit Rama se, sistemi i drejtësisë nuk është i kapur, por është i pavarur, Manja tha se Partia Socialiste (PS) është mbështetësja kryesore e reformës në drejtësi.

“Parimin e shtetit të së drejtës e kemi në ADN-në tonë si parti dhe nuk kemi ndërhyrë në drejtësinë e vjetër dhe as në këtë të renë”, tha ministri.

Kur flasim për pavarësinë e gjyqësorit, duhet të jemi të qartë se çfarë është, vijoi ai.

Manja tha se pavarësia e gjyqësorit lidhet me vendimmarrjet e gjykatësve dhe prokurorëve, të cilat “edhe në raste kur këto vendime ishin të dyshimta, PS-ja nuk i ka diskutuar”.

Kërkimi i llogarisë dhe i performancës së drejtësisë është krejtësisht e ligjshme dhe metodë që bëhet në çdo vend demokrat të botës, argumentoi ministri i Drejtësisë.

“Në këtë pikë kryeministri, por edhe unë si ministër i Drejtësisë, po ushtrojmë detyrën që na ka dhënë ligji dhe lidhet me politikat e drejtësisë, që janë përgjegjësi e kësaj mazhorance”, tha Manja.

“Të kërkosh rritjen e performancës”, vijoi më tej ministri, “të kërkosh angazhimin e organeve të drejtësisë në luftën ndaj kriminalitetit, lidhet me treguesit e kriminalitetit”.

Procesi i vetting-ut

Për sa i përket vetting-ut, ministri i Drejtësisë i dha vlerësimin “maksimal”, pasi sipas tij është “komponenti kryesor i Reformës në Drejtësi”.

“Vetting-u u konceptua si mekanizëm për të pastruar Reformën në Drejtësi. Ia ka arritur t’ia dalë me sukses këtij misioni”.

Në këtë proces, vijoi ai, u shkarkuan gjyqtarë dhe prokurorë, por nuk janë marrë si të pandehur nga drejtësia e re.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja

Sipas Manjës, nga 530 gjyqtarë e prokurorë që kanë kaluar në sitën e vetting-ut, 179 janë shkarkuar dhe 51 kanë dhënë dorëheqjen.

“Ku është shqetësimi ynë sot? Nga 530 gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar procesin e vetting-ut 179 janë shkarkuar për deklarim të rremë, fshehje pasurie dhe mungesë të burimeve financiare për pasuritë e krijuara dhe 51 të tjerë kanë dhënë dorëheqjen për shkak të procesit të vetting-ut”.

Në këto 50 që janë tërhequr, ravijëzoi ministri, “ka një shqetësim më të madh”.

“27 prej tyre kanë dhënë dorëheqje, pasi kanë marrë rezultatet e vlerësimit, ndërsa pjesa tjetër kanë dhënë tërheqje, por sot nuk dihet fati i tyre”.

Mungesa e hetimit ndaj prokurorëve

Manja listoi pasuritë e disa prej gjyqtarëve apo prokurorëve, të cilët nuk e kanë kaluar procesin e vetting-ut, pasi nuk e justifikojnë këtë pasuri. Prandaj, ai ripërsëriti thirrjet që të bëhet hetim nga drejtësia e re.

“10 gjyqtarët dhe prokurorët që kryesojnë listën dhe askush nuk më thotë mua se nga e kanë vënë gjithë këtë pasuri. 857 milionë lekë të vjetër mungesë burimesh financiare kur në jetën e vet ka bërë vetëm punën e prokurorit. Ta hetojë drejtësia e re. Për këtë e ngritëm drejtësinë e re”.

“800 milionë lekë të vjetër, subjekti i dytë. Ka ngelur edhe te pastërtia e figurës. Pse nuk duhet të fillojë hetimi?”

“Dhe e mbyll tjetri me 150 milionë lekë të vjetër. Por që të gjithë kanë probleme me pasurinë. Janë kthyer në latifondistë, kur në jetën e vet kanë bërë vetëm prokurorin dhe gjyqtarin. Drejtësia jonë e re ka dënuar për një avlli, ndërsa për një prokuror që ka ndërtuar pa leje, nuk fillon një hetim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore