Lajme

Mania globale për kolagjenin e nxjerrë nga bagëtitë e rritura në ferma që dëmtojnë pyjet tropikale


Dhjetëra mijëra bagëti të rritura në ferma që po dëmtojnë pyjet tropikale në Brazil po përdoren për të prodhuar kolagjen.

Ky i fundit është përbërësi aktiv në suplementet shëndetësore në qendër të një manie globale të mirëqenies.

Por në Brazil pak vëmendje i është kushtuar industrisë në lulëzim të kolagjenit, me vlerë rreth 4 miliardë dollarë.

Kolagjeni mund të nxirret nga peshqit, derrat dhe bagëtia. Përdorues të tij pretendojnë se proteina mund të përmirësojë flokët, lëkurën, thonjtë dhe nyjet, duke ngadalësuar procesin e plakjes.

Përveç markave të bukurisë dhe mirëqenies, ai përdoret gjithashtu nga kompanitë farmaceutike dhe ato që prodhojnë përbërës ushqimorë.

Megjithatë, një hetim nga “The Guardian” ka gjetur se bagëtitë e rritura në ferma që shkaktojnë shpyllëzim janë përpunuar në thertore që shërbejnë zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar të kolagjenit.

Një pjesë e këtij kolagjeni mund të gjurmohet në Vital Proteins në pronësi të Nestlé, një prodhues kryesor i suplementeve të kolagjenit të gjedhit. Gama e kolagjenit të Vital Proteins shitet globalisht.

Jennifer Aniston, shefja kreative e Vital Proteins, e ka quajtur kolagjenin “ngjitësin që mban gjithçka së bashku”.

Ajo pretendon se e përdor prej vitesh, duke ia shtuar kafesë së mëngjesit.

Teksa ka studime që sugjerojnë se marrja e kolagjenit nga goja mund të përmirësojë shëndetin e nyjeve dhe lëkurës, Shkolla e Shëndetit Publik të Harvard-it paralajmëron se ekzistojnë konflikte të mundshme interesi pasi shumica e kërkimeve financohen nga industria ose kryhen nga shkencëtarë të lidhur me të.

Kompanitë e kolagjenit nuk kanë asnjë detyrim për të gjurmuar ndikimet e tij mjedisore. Ndryshe nga mishi i viçit, soja, vaji i palmës dhe mallrat e tjera ushqimore, kolagjeni nuk mbulohet nga legjislacioni i ardhshëm i kujdesit të duhur në BE dhe MB të krijuar për të trajtuar shpyllëzimin.

Nestlé ka thënë se akuzat e ngritura nuk janë në përputhje me angazhimin e saj për burime të përgjegjshme dhe se ka kontaktuar furnizuesin për të hetuar.

Kolagjeni i gjedhit përshkruhet si një nënprodukt i industrisë së gjedhit, i cili në Brazil përbën 80 për qind të të gjithë humbjes së pyjeve të Amazonës.

Por “nënprodukt” është një term mashtrues, sipas aktivistëve.

Produktet jo-shtazore, nga të cilat lëkura dhe kolagjeni janë më të vlefshmet, përbëjnë pak më pak se gjysmën e peshës së lopës së therur dhe mund të gjenerojnë deri në 20 për qind të të ardhurave të ambalazhuesve të mishit.

Kërkesa për viç, lëkurë dhe kolagjen është parë gjithnjë e më shumë se pyjet janë pastruar dhe zëvendësuar nga kullota vitet e fundit, me toka të sekuestruara shpesh ilegalisht.

Shumica e shpyllëzimeve të shkaktuara nga blegtoria mund t’i atribuohen furnizuesve indirekt të kompanive, sipas Ricardo Negrini, një prokuror federal që monitoron angazhimet klimatike të përpunuesve të viçit.

Gjedhët shpesh zhvendosen nga ferma në fermë për faza të ndryshme të rritjes.

Por Negrini ka thënë se, sot, të gjitha kompanitë e mishit kanë kapacitet për të gjurmuar origjinën e bagëtive që blejnë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore