Lajme

Mandl: Vendet që ende s’e njohin Kosovën, ta ndjekin shembullin e Izraelit


Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka vizituar ambasadën e Kosovës në Izrael, derisa ka thënë se “pakica e vogël e shteteve anëtare që ende nuk e njohin Kosovën, duhet ta ndjekin së shpejti shembullin e Izraelit”.

Pas takimit me ambasadoren e Kosovës në këtë shtet, Ines Demirin, Mandl ka shtuar se vite më parë, vizita në Ambasadën e Kosovës në Izrael do të ishte e paimagjinueshme, “sepse nuk kishte asnjë”.

“Pastaj Izraeli e njohu Republikën e Kosovës me shumë urtësi dhe largpamësi. Në një botë plot konfuzion, ky ishte dhe është një nga vendimet më të vlefshme gjeopolitike të viteve të fundit”, ka shkruar Mandl në Facebook.

Ai ka treguar se ka biseduar me Demirin në Ambasadën e Kosovës në Jerusalem për çështjet aktuale.

Izraeli dhe Kosova vendosën marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt 2021 dhe Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem më 14 mars të po atij viti.

Hapja e ambasadës në Jerusalem rrjedh nga marrëveshja e 4 shtatorit 2020 në Uashington, e mbikëqyrur nga ish-presidenti amerikan Donald Trump.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli ishte pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e presidentit Trump.

Në këmbim, Kosova pranoi të hapë ambasadën e saj në Jerusalem e jo në Tel Aviv. BE-ja nuk e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore