Lajme

Mandl mbështet lobimin e kongresistit amerikan për njohjen e Kosovës nga 5 vendet e BE-së


Lukas Mandl

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka përkrahur thirrjen e kongresistit amerikan, Ritchie Torres, i cili kishte kërkuar nga pesë shtetet mos njohëse të Bashkimit Evropian që të ndryshojnë qëndrimin e tyre në raport me subjektivitetin e Kosovës.

“Jemi bashkë”, ka shkruar Mandl në rrjetin e tij social në Twitter, kështu duke e shpërndarë njoftimin e Torres në profilin e tij.

Para Torres, ishte vetë Mandl që kishte kërkuar nga Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro, që ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

“Për të mirën e kësaj gjenerate dhe gjeneratave që vijnë, për dinjitetin, lirinë, paqen, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, ka shtuar Mandl.

Ndryshe, kongresisti amerikan, përmes një letre kërkoi pesë vendeve evropiane rikonsiderimin e pozicionit karshi pavarësisë së Kosovës.

Në anën tjetër Torres, javë më parë në letrën e tij dërguar Presidentit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken, ka kërkuar që Kosova të pranohet në NATO si përgjigje për invazionin rus në Ukrainë.

Për ligjvënësin amerikan, Kosova është aleati më i mirë i SHBA-ve dhe si rrjedhojë duhet t’i bashkohet bllokut perëndimor të sigurisë.

“Më 27 shkurt, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, bëri thirrje për ‘pranim të përshpejtuar në NATO’. Për më shumë, më 3 mars, Parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë që i kërkon Qeverisë të nisë negocimin për pranim në NATO. S’mund të pajtoheshim më shumë me këto veprime”, kishte shkruar Torres

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore