Lajme

Mandl – Lajçakut: Kur do sjellë rezultat përpjekja juaj në dialogun Kosovë – Serbi?


Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak.

Lidhur me rezultatet e deritashme të Bashkimit Evropian në situatën mes Kosovës dhe Serbisë eurodeputeti austriak, Lukas Mandl e ka pyetur emisarin e Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, se kur do të ketë rezultat nga përpjekjet e BE-së.

“Në rregull. E kur kjo përpjekje e juaja do të sjellë rezultate?”, i ka replikuar Mandl, Lajçakut.

Ai këtë reagim e ka bërë në një fotografi të Lajçakut nga takimi që kishte pasur me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, Lars-Gunnar Wigemark dhe me komandantin e KFOR-it, Frenc Kajari.

Reagimi i eurodeputetit austriak, Lukas Mandl ndaj emisarit të BE-së Miroslav Lajçak.

Mandl e ka pyetur emisarin e BE-së edhe lidhur me njohjet e pesë shteteve anëtare të BE-së.

“Çfarë keni arritur në lidhje me njohjen nga pesë shtetet anëtare të BE-së”?!

Eurodeputeti austriak ka shtuar se, “njerëzit e gjithë Evropës meritojnë rezultate”.

Më 25 nëntor, eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, përmes një postimi në Twitter ka potencuar se liberalizimi i vizave për Kosovën është urgjente dhe e rëndësishme.

Sipas Mandl, Kosova ka përmbushur tash e një kohë të gjatë kriteret për liberalizimin e vizave.

“Në programin qeverisës të Gjermanisë në mënyrë eksplicite përmendet liberalizimi i vizave për Kosovën. Kjo është urgjente dhe e rëndësishme. Kriteret janë përmbushur për një kohë të gjatë. Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë rënë dakord prej kohës dhe duhet mbështetje e plotë parlamentare”, ka shkruar Mandl, në Twitter.

Ndryshe, marrëveshja e re e koalicionit mes socialdemokratëve, të Gjelbërve dhe Liberalëve në Gjermani që do të formojnë qeverinë e re federale kanë vendosur Shqipërinë dhe Kosovën mes pikave kryesore të politikës së jashtme gjermane, ku theksi mes tjerash është vënë te nevoja e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore