Kosova

Mandl: Kosova ka menaxhuar mirë balotazhin


Nga konferenca e ditës së martë të Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale është menaxhuar mirë, kjo sipas Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian.

Shefi i këtij misioni, Lukas Mandl, gjatë konferencës për media ka bërë të ditur se ekipi i vëzhguesve të BE-së ka vizituar 269 vendvotime me ç’rast ata kanë vlerësuar pozitivisht procesin e votimit dhe më pastaj atë numërimit.

Mandl ka potencuar se fushata zgjedhore ka qenë dinamike, e gjallë, por e qetë.

“Ky ishte një proces zgjedhor i administruar mirë. Disa prej problemeve janë dobësi të vjetra që janë identifikuar edhe nga misionet e mëhershme”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar se edhe në këtë fushatë zgjedhore ka pasur mungesë të transparencës së financimit nga ana e partive politike.

“Mungesa e transparencës për financim vazhdoi edhe këtë fushatë. Mediat i janë përmbajtur rregullave. Për raundin e dytë u paraqitën 6 ankesa gjatë fushatës, dhe 24 për shkelje të heshtjes zgjedhore”, ka theksuar ai.

Të dielën e 14 nëntorit në Kosovë në 21 komuna nga 38 gjithsejtë u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

Kështu bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, Partia Demokratike e Kosovës në raundin final të zgjedhjeve lokale ka fituar në pesë komuna.

Lëvizja Vetëvendosje, që në zgjedhjet parlamentare të shkurtit fitoi mbi 50 për qind të votave, në raundin e balotazhit, fitoi në katër nga 12 komunat ku ishte në balotazh.

Lidhje Demokratike e Kosovës arriti të triumfojë në pesë komuna në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Ndërsa në garën e balotazhit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, fitoi në tri komuna.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore