Lajme

Mandl: Hapi i parë në rrugën e Serbisë drejt BE-së duhet të jetë njohja e Kosovës


Lukas Mandl

Hapi i parë që Serbia duhet të bëjë në atë mënyrë që ajo të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, është njohja e pavarësisë së Kosovës.

Kështu të paktën thotë Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, në postimin e fundit të tij në Twitter.

Madje sipas tij njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është imediate.

“Asnjëherë nuk e dija se do të kishte një alternativë për evropianët (në këtë rast në Serbi) në rrugën drejt BE-së. Por mirë nëse Aleksandër Vuçiq kujtohet tani. Hapi i parë pas kësaj “përvoje të damaskut” duhet të jetë njohja e shtetit më të ri të Evropës, Republikës së Kosovës, pa vonesa të mëtejshme”, ka shkruar Mandl në Twitter.

Ndryshe të mërkurën kancelari gjerman Scholz ka pritur në takim fillimisht Albin Kurtin e më pas edhe Aleksandër Vuçiç-in. Pas takimeve, me të dy, ka pasur konferenca për media.

Në konferencë është theksuar nevoja për normalizim raportesh, derisa kancelari gjerman e bëri të qartë se është i interesuar ta ringjall Procesin e Berlinit, proces që tenton rregullimin e raporteve mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, me fokus në zhvillimin ekonomik.

Më vonë, pas konferencave, nën patronatin e Scholz, u mbajt darkë jo formale në mes të Lajçak-ut, Kurtit e Vuçiç-it.

Pas takimit, Kurti deklaroi se Vuçiç “ka vazhduar të mbajë qëndrimet e tij të vjetra”, duke lënë të nënkuptohet kështu se nuk janë bërë hapa përpara drejt zgjidhjes finale, për të cilën Kurti ka thënë se njohja reciproke “duhet të jetë në qendër”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore