Përballje

Manchester United fiton me përmbysje ndaj Atalanta-s


Manchester United ka mposhtur skuadrën e Atalanta-s me rezultat 3:2, në ndeshjen e xhiros së tretë të grupeve në Ligën e Kampionëve.

Në stadiumin “Old Traford” u zhvillua një ndeshje spektakolare, ku vendasit arritën të përmbysin epërsinë e dy golave.

Italianët e nisën shumë më mirë takimin, të cilët krijuan një epërsi të dyfishtë në pjesën e parë.

Mario Pasalic shënoi golin e parë për Atalanta-n në minutën e 15-të, derisa në të 29-tën, mbrojtësi Merih Demiral realizoi me kokë, për rezultatin e pjesës së parë 0:2.

Presioni i vendasve ishte shumë i madh, por nuk arritën të ndryshojnë shifrat në pjesën e parë.

Në të dytën, Bruno Fernandes asistoi për mrekulli për Marcus Rashford, i cili ngushtoi shifrat në 1:2.

“Djajtë e kuq” e kërkuan me ngulm golin dhe atë e gjetën në minutën e 75-të, me anë të mbrojtësit Harry Maguire.

Dhe, golin e fitores, kush tjetër, por Cristiano Ronaldo e realizoi në minutën e 81-të, i cili kërceu lartë në mbrojtjen kundërshtare, për të shënuar me kokë, pas harkimit nga Luke Shaë.

Me këtë fitore, skuadra e Manchester-it ngjitet në vendin e parë në tabelën e Grupit F, me gjashtë pikë të grumbulluara, ndërsa Atalanta mbetet e dyta me katër, aq sa ka edhe Villareal në vendin e tretë, kurse Young Boys mbyll klasifikimin me tri pikë.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupit, Villareal shënoi fitore me rezultat 1:4 në udhëtim te Young Boys.

Spanjollët realizuan epërsi të dyfishtë në pjesën e parë me golat e shënuar nga Pino e Moreno, derisa në të dytën Elia ngushtoi epërsinë, kurse në fund Moreno dhe Chukëueze shënuan për rezultatin përfundimtar 1:4.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore