Sport

Manchester-i dhe Anglia, janë… blu


Fitorja e Leicester City-t në “Old Trafford” të martën në mbrëmje e shpalli Manchester City-t kampion të Anglisë.

Skuadra e Guardiola-s fiton Premier League-n për herë të tretë në katër vitet e fundit, duke konfirmuar kështu superioritetin dhe vazhdimësinë që ka mbi skuadrat e tjera.

Në një sezon që filloi si mos më keq për City-n, askush nuk priti që maji do t’i gjente kampion.

Por, viti 2021 pa Manchester City-n të kalonin në një periudhë të frikshme, ku kishin 21 fitore me radhë.

72 golat që kanë shënuar deri më tani janë më së shumti, kurse 26 golat që kanë pësuar janë më së paku.

Guardiola gjeti “mesin e artë”, duke ndërtuar një sulm super solid të ndihmuar nga një mbrojtje perfekte.

Nga të gjithë, Ruben Dias konsiderohet si futbollisti i sezonit, derisa partneri i tij John Stones, ka qenë ndihmë e madhe për të krijuar një mur të pathyeshëm.

Ndryshe nga herat tjera, City i këtij sezoni ka qenë i varur te grupi dhe jo te individët.

Këtë e tregon edhe fakti që Gundogan është golashënuesi më i mirë i klubit, me 12 gola.

Sterling vjen pas tij me 11 gola, kurse Mahrez është i treti me nëntë.

Pas fitores së Carabao Cup, Manchester City shpallet kampion edhe në Premier League.

Synimi kryesor për blutë tani është trofeu i Champions League-s, ku në finale përballen me Chelsea-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore