Sport

Manchester City deklason Arsenal-in në javën e tretë të Premier League


Dueli i javës së tretë mes Manchester City-t dhe Arsenal-it përfundoi me fitoren e këtyre të parëve me rezultat 5:0.

Java e tretë në Premier League, dhe Arsenal, ende nuk kanë arritur të shënojnë gol, por kanë pësuar 9 gola në sezonin e ri.

Manchester City ishin shumë dominantë, duke pasur 25 tentime për të shënuar, në krahasim me topçinjtë, të cilët kishin vetëm një mundësi gjatë gjithë ndeshjes.

“Qytetarët”, po ashtu posedonin topin 74% të kohës në pjesën e parë, dhe 86% në pjesën e dytë të lojës.

Goli i parë u shënua nga Ilkay Gundogan në minutën e shtatë, pas asistimit të Gabriel Jesus.

Vetëm pesë minuta pas golit të parë, City shënuan përsëri, por këtë herë me Ferran Torres.

Kur mendohej se ndeshja nuk mund të shkonte më keq për topçinjtë, Granit Xhaka u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të rrezikshme.

Vetëm dy minuta para përfundimit të pjesës parë, Gabriel Jesus shënoi për 3:0, si rezultati i 45 minutave të para.

Në fillim të pjesës së dytë, ishin përsëri “qytetarët”, të cilët shënuan me anë të Rodri-t në minutën e 53-të.

Për rezultatin final prej 5:0, u përkujdes Ferran Torres duke shënuar në minutën e 84-të nga asisti i Riyad Mahrez.

Momentalisht Manchester City radhiten në pozitën e parë me gjashtë pikë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore