Shqipëria

Manastirliu: Nis vaksinimi në Kukës/Brenda marsit vaksinat e para nga Covax


“Nis vaksinimi në Kukës, brenda javës edhe në Korçë”.

Këtë deklaratë e dha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, duke parë nga afër procesin e vaksinimit në qendrën e Arenës Ndërkombëtare, gjatë ditës së premte më 26 shkurt.

Ajo tha se deri më tani janë kryer rreth 11 mijë vaksinime sipas skemës së Qeverisë. Nga këta 782 janë të moshuar dhe staf që kujdeset për ata.

Manastirliu theksoi faktin se duke nisur nga java tjetër do të vijnë sasitë e radhës së vaksinave.

“Javën tjetër do të vijë dërgesa e radhës nga Pfizer. Sipas kalendarit të kontratës që kemi lidhur me Pfizer-in, ditën e hënë do të vijojmë të intensifikojmë dhe të shtrijmë në vijim vaksinimin”.

Për më tepër ajo tha se brenda 10 ditëshit të parë të marsit do të arrijë dërgesa e parë e vaksinës nga kompania e Covax.

“Janë planifikuar rreth 14 mijë e 400 doza, të cilat priten që të vijnë nga kjo marrëveshje e lidhur dhe e parapaguar nga qeveria shqiptare”.

Ministrja tha se procesi i vaksinimit do të vazhdojë dhe ditën e shtunë dhe të dielë. Ku pas vaksinimit të personelit mjekësor, radha do të jetë e të gjithë të moshuarve mbi 80 vjeç.

“Sot po vijon vaksinimi anti-Covid për personelin shëndetësor dhe të moshuarit në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Berat, Elbasan dhe Kukës”, e përmbylli Manastirliu.

Deri më tani Shqipëria ka pasur 1 mijë e 736 vdekje që nga shfaqja e coronavirus-it. 104 mijë e 313 raste aktive dhe 67 mijë e 158 të shëruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore