Shqipëria

Manastirliu: Kemi arritur të vaksinojmë mbi 150 mijë të moshuar


Mbi 150 mijë të moshuar janë vaksinuar deri më tani në të gjithë Shqipërinë.

Këtë e ka njoftuar ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, të martën e 6 prillit, nga qendra e vaksinimit në Korçë.

“Kemi vaksinuar mbi 10 mijë qytetarë në Korçë. Kemi arritur mbi 150 mijë të moshuar të vaksinuar deri më tani”, tha ajo, ndërsa ka treguar se në total janë kryer mbi 206 mijë vaksinime.

Sipas ministres, në kuadër të fushatës “Shqipëria buzëqesh”, në qytetin juglindor, sot janë planifikuar të vaksinohen 300 të moshuar.

Në vijim, ajo ka vënë theksin se të hënën e 5 prillit kanë mbërritur nga kompania Pfizer 7 mijë e 20 doza, ndërsa priten të mbërrijnë deri në fund të muajit dhe 22 mijë doza të tjera.

Procesi i vaksinimit ka filluar me stafin mjekësor, për të vijuar me grup-moshat +80 vjeç, që banojnë në shtëpinë e të moshuarve.

Në kuadër të vaksinimit masiv, vaksina u është inokuluar edhe mësuesve dhe pedagogëve të universiteteve.

Më datë 2 prill u vaksinuan edhe gazetarët e terrenit, duke ia lënë radhën për në ditët në vijim forcave policore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore