Shqipëria

Manastirliu: Do të kalojmë për diskutim projektligjin për autonominë spitalore


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, bëri me dije se në fokus ishte miratimi i projektligjit për autonominë spitalore.

“Ishte koha që ky projektligj të vinte, i cili do të kalojë për diskutime në komisionet parlamentare për të sjellë një model të ri të shërbimit spitalor, atë të autonomisë spitalore”, tha fillimisht ministrja.

Në vijim, ajo shpjegoi se “autonomia spitalore vjen përmes kartës së performancës, që plotësohet sipas kritereve që do të vendosen nga Këshilli i Ministrave, nga spitalet që kanë aftësi për ta përfituar kartën e performancës dhe të autonomisë spitalore”.

Ajo tha se do të ketë autonomi financiare dhe menaxheriale.

“Qëllimi është përmirësimi i shërbimeve të kujdesit spitalor. Do të çojë në një eficiencë më të mirë të fondeve, duke angazhuar të gjitha fondet e struktura të tjera dhe të gjithë strukturat e spitaleve në vend”.

Manastirliu ravijëzoi se do të ketë një planifikim spitalor kombëtar nëpërmjet një komiteti ekspertësh që do ta hartojnë.

“Do të kemi organizim duke filluar nga spitalet ditore, në ato bashkiakë, rajonalë, qendrat rajonale të spitaleve, do të kemi spitale me shërbime të dedikuara me bazë rajoni. Do të krijojmë polet rajonale të shërbimit spitalor në vend”.

Në mbyllje, ministrja njoftoi se fillimisht do të aplikohet në Spitalin Rajonal Memorial, në Fier, brenda këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore