Kultura

Manastiri që bashkon popujt


Të premten, më 12 shkurt, udhëtimi i Albanian Post u ndal në Manastirin e Shën Joan Vladimirit, ose ndryshe Manastiri që bashkon popujt. At Irine na shpjegoi se emërtimi i dytë lidhet me datën 4 qershor (dita zyrtare e kishës), e cila mbledh besimtarë nga shtete të ndryshme të botës. Ato vijnë për më shumë mirësi, dashuri e harmoni. Manastiri ndodhet në fshatin Shijon, 10-të kilometra larg qytetit të Elbasanit. Ky manastir është një nga monumentet kulturore më të vjetra historike dhe fetare të vendit tonë. Ai mbart vlera të kulturës mesjetare shqiptare.
At Irine tha për Albanian Post se sipas gojëdhënave, Joan Vladimiri ishte një princ me origjinë malazeze. Gjatë dyndjes së sllavëve në Ballkan e Arbëri, ai përshkonte shpesh rrugën e vjetër Egnatia. Sa herë kalonte në Elbasan, Joan-i ndalej dhe falej në një kishë të vogël, aty ku sot ndodhet kisha aktuale. Joan-i ishte i martuar me motrën e Carit të Bullgarisë. Ky i fundit nisi ta shohë me xhelozi famën që po merrte Joani. Duke menduar se mund t’i merrte fronin ai vendosi që ta vrasë. Sipas gojëdhënës ai ishte besimtar i devotshëm dhe mbante gjithmonë me vete një kryq me bisht të gjatë. Në çastin e ekzekutimit ai kërkoi në emër të kryqit që të mos e vrisnin, por ata i prenë kokën. Pas kësaj populli vendas e cilësoi princin Shenjt dhe manastiri u pagëzua me emrin e tij.
Manastiri i Shën Joan Vladimirit ishte veçanërisht i famshëm për literaturën historike dhe kishtare që dispononte. Ai zotëronte vlera të jashtëzakonshme në arkitekturë, art dhe në pasuritë e mëdha të ikonostasit. Manastiri ka pasur një bibliotekë plot me libra, një nga më të pasurat e kohës. Këto materiale nuk janë më, që nga zjarri i vitit 1944, të cilin e vunë gjermanët. Humbja ishte mjaft e madhe. Aktualisht manastiri ka tre porta hyrëse, një në krahun perëndimor dhe dy të tjerat në krahun jugor dhe verior. Në portën e krahut jugor ndodhet edhe skema e Karl Topisë, i cili thuhet se e rindërtoi kishën në vitin 1381, duke e bërë tre herë më të madhe seç ka qenë.
Restaurimi i fundit i kishës është bërë në vitin 2017-të. At Irene tha për Albanian Post se deri në vitin 2005-së kisha nuk ka pasur çati. Ai tha se shumica e ikonave të hershme janë fshirë. Ikona që ndodhet në pjesën fundore të kishës, pjesa e harkuar që ju shihni në këtë foto, është piktura më e vjetër e kishës, që nga fillimet e saj. Piktori i ikonave është Kostandin Shpataraku.
Pamja e brendshme e ikonave të kishës.
Këmbanorja e Manastirit. At Irene na tregoi se ajo bie çdo të dielë dhe çdo herë që ka një ditë të shënuar. Tingulli i saj fton banorët ne ambientet e kishës.
Pjesa që shohim në foto, sot përdoret për kamping gjatë muajve të verës. At Irene Gega tha se në kamp vijnë fëmijë dhe gjimnazistë nga e gjithë Shqipëria. Ai dikur përdorej si strehim për ushtrinë.
At Irine na njoftoi se Mitropolia e Tiranës ka nën kujdestari një arkë të vogël shumë të vjetër në të cilën ndodhen eshtrat e Shenjtit Joan. Çdo 4 Qershor atë e sjellin në manastir në mënyrë që pelegrinët të takohen me shenjtin. Pas viteve 90 çdo 4 Qershor në këtë vend organizohet panairi dhe festa e Shën Joan Vladimirit. Numri i besimtarëve ka qenë gjithnjë e në rritje. At Irini tha se turistët në këtë datë vijnë nga shtete të ndryshme, madje edhe nga Australia. Ati na tregoi edhe një kuriozitet, sipas së cilit Kostandin Kristoforidhi ka kërkuar të varroset në këtë manastir, por duke qenë se atë ditë ishte një shi i madh, ai nuk u varros dot këtu.
Pjesa lindore e Manastirit “Shën Joan Vladimiri”

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore