Kosova

Manastiri i Deçanit midis pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv


Manastiri i Deçanit

Edhe pse çështja e pronës së Manastirit të Deçanit – i cili ndodhet rreth 100 kilometra në perëndim të Prishtinës – ka gati gjashtë vjet që është “zgjidhur juridikisht”, problematika mbetet e papërfunduar, shkruan REL.

Prej vitesh, ajo endet midis pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv të Kosovës.

Më 4 shkurt, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin e tij se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për t’i detyruar autoritetet lokale të Deçanit që t’ia kthejnë Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë dhe pyje, është i bazuar në “politikën diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë, të vitit 1997.

Udhëheqësi i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç, mori vendim për t’ia dhuruar atë pronë Manastirit.

Kurti tha se Qeveria e tij do të përpiqet t’i ruajë të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit, por shtoi se edhe liderët fetarë duhet të bëjnë pjesën e tyre, gjegjësisht të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut dhe marrëveshjes me popullatën lokale në Deçan.

Autoritetet lokale në Deçan besojnë se 24 hektarët tokë dhe pyje janë të ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe me këmbëngulje refuzojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili është marrë në maj të vitit 2016 dhe është përfundimtar dhe obligues për të gjitha palët.

Këto autoritete konsiderojnë se Gjykata Kushtetuese e legalizoi vendimin e Millosheviçit.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit reagoi ashpër ndaj deklaratës së fundit të kryeministrit të Kosovës, duke vlerësuar se autoritetet kosovare po bëjnë “fushatë sistematike të diskriminimit dhe armiqësisë së hapur ndaj Kishës Ortodokse Serbe”.

Dioqeza tha se zbatimi i vendimit të Gjykatës për pronën e Manastirit të Deçanit është “kusht për të treguar se dialogu nuk është vetëm një shfaqje për kamera dhe për zyrtarët e huaj”.

 

Sipas kësaj dioqeze, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë trajtohet si institucion politik ose si diçka përmes së cilës ushtrohet ndikim politik, gjë që, siç thuhet në deklaratë, nuk ka asnjë bazë.

“Ne besojmë se nuk ka asnjë procedurë, nga viti 2000, që është ndjekur kaq shumë dhe është kaq e politizuar, jo nga Kisha jonë, por nga institucionet vendore”, tha Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit.

Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Gjykatës Supreme i vitit 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është “res judicata”, apo gjykim i formës së prerë.

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deklaroi se vendimi i saj nuk ishte zbatuar dhe i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të Kosovës që të ndërmarrë veprime të mëtejme, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Në vendimin për moszbatimin e aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese theksoi se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës nga organet përgjegjëse, por u tha se një vlerësim i tillë i takon prokurorit të shtetit, në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Tash e disa vite, bashkësia ndërkombëtare i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të lejojë Manastirin e Deçanit të regjistrojë në kadastër 24 hektarët tokë dhe pyje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një letër drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mes të janarit, tha se autoritetet në Kosovë duhet t’i respektojnë të drejtat e komuniteteve pakicë dhe kërkoi që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore