Lajme

Maliqi për Asociacionin: Perëndimi s’do ta lejojë Beogradin të menaxhojë më përmes Veselinoviç-it dhe Radoiçiç-it


Shkëlqen Maliqi

Filozofi dhe publicisti Shkëlzen Maliqi, në një prononcim për gazetën serbe Danas, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet ta nënshkruaj marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse vetëm kështu, mundësohet kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës dhe rivendosja e strukturave lokale të sigurisë në veri të vendit.

Asociacioni, potencoi ai, sigurisht që do të monitorohet nga Perëndimi, dhe përveç garancive për vetëqeverisje dhe zgjedhje të lira, “miniprotektorati perëndimor” në veri duhet të sigurojë edhe dekriminalizimin e strukturave paralele serbe të udhëhequra nga Lista Serbe – Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç.

“Nuk është ende e qartë nëse Asociacioni, i cili ndoshta do të riemërtohet, do të organizojë vetëqeverisje vetëm në veri të Kosovës, apo do të zgjerohet edhe në komunat tjera të Kosovës me popullatë serbe, të cilat janë integruar me sukses në institucionet e Kosovës”, tha ai.

Kreu i ekzekutivit kosovar, sipas Maliqit, e ka pranuar në parim propozimin e Bashkimi Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por deri më tani e ka trajtuar vetëm si “bazë të mirë” për marrëveshje, e jo si plan operativ për zgjidhje të probleme me faza.

“Kurti duket se ende beson se mund të kërkojë një marrëveshje për njohje reciproke, të cilën sigurisht që nuk mund ta arrijë në rrethanat aktuale. Nëse Kurti nuk pajtohet dhe (Aleksandër) Vuçiç nënshkruan propozimin e BE-së, Kosova do të duhet të rishqyrtojë seriozisht nëse duhet të ndjekë refuzimin e Kurtit ndaj këtij propozimi”, tha Maliqi.

Ai vlerësoi se në këtë rast, Kurti do të duhej të jepte dorëheqje ose të zëvendësohej nga Kuvendi i Kosovës ndërsa shtoi se nënshkrimi i marrëveshjes ndoshta mund të ndodhë në pranverë, përkatësisht gjatë muajit mars.

“Kosova ndoshta shumë shpejt do të marrë njohjen nga disa shtete anëtare të BE-së dhe avancimin për integrime euroatlantike. Shkurt, ky është një rezultat pozitiv i propozimit, nëse në Serbi nuk ka probleme të mëdha me opozitën pro-ruse, si dhe komplikime shtesë të paparashikueshme në Kosovë”, përfundoi ai.

Ndryshe, emisari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen vullnet apo mënyrë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, administrata amerikane do të kërkojë “partnerë alternativë”, duke shtuar se një njeri nuk mund t’i ikë këtij obligimve të Kosovës.

Në ndërkohë, në linjë me paralajmërimin e Escobar-it, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë dërgoi të martën ftesa për takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe partive politike për diskutime më të detajuara lidhur me propozimet dhe përgatitjet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një mekanizëm që do t’iu jepte serbëve më shumë të drejta dhe garanci shtesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore