Sport

Maldini u kërkon falje tifozëve, thotë se nuk ishte i përfshirë në projektin e Superligës


Drejtori teknik i klubit të Milanos, Paolo Maldini, ka thënë se nuk ishte i përfshirë në projektin e Superligës Evropiane.

Maldini, pas ndeshjes që Milano e zhvilloi ndaj Sassuolo, iu ka kërkuar falje tifozëve kuqezi, por duke mos e larguar përgjegjësinë nga vetja për këtë gjë.

“Nuk isha i përfshirë në bisedimet për krijimin e këtij kompeticioni dhe gjithçka e mësova vetëm të dielën në darkë, ashtu si të gjithë njerëzit e tjerë”.

“Ishte një vendim i marrë në nivele më të larta drejtuese, megjithatë kjo nuk më heq përgjegjësinë dhe nuk më pengon t’u kërkoj ndjesë tifozëve që u ndjenë të tradhtuar në principet thelbësore të futbollit, që Milani i ka ndjekur dhe promovuar gjithmonë”, u shpreh Paolo Maldini.

Gjithashtu ish-mbrojtësi legjendar i Milanos, tha që meritat klubeve sportive nuk mund të anashkalohen me një projekt, ai gjithashtu tha që synimet e drejtuesve të klubit kuqezi janë të kualifikohen në Ligën e Kampionëve.

“Nëse duhet të marrim një mësim nga kjo histori, është të kuptojmë se sa larg duhet të shkojmë. Nuk mund të tejkalojmë parimet e sportit, si meritokracia dhe ëndrrat”.

“Konsiderata ime është ajo e drejtuesit të një klubit që synon të arrijë një objektiv pas shtatë vitesh dhe shumë lojtarë e kanë ëndërr përmbushjen me sukses të tij”, përfundoi drejtori teknik i klubit të Milanos.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore