Sport

Maldini një dinasti e Milan-it


Për Milan-in mbiemri Maldini përfaqëson jo vetëm thjesht një lojtar apo dhe dy ish-lojtarë, por në tre breza, familja Maldini ka patur përfaqësuesit e saj me kuqezinjtë. Shumë ndeshje, shumë minuta dhe shumë trofe nga Cesare dhe Paolo Maldini në të shkuarën dhe që në të tashmen, pritet që e njëjta situatë të ndodh edhe nga i biri i Paolo-s, Daniel-i, që luan aktualisht me Milan-in.

Cesare ishte i pari nga familja Maldini që luajti për Milan-in. Pozicioni i tij në fushë ishte në qendër të mbrojtjes. Tek Milan-i erdhi nga ekipi i Triestina-s dhe luajti gjatë viteve 1954-66 dhe më pas do të shkonte tek Torino.

Në total luajti 12 sezone për kuqezinjtë, plot 398 ndeshje dhe tre gola, në të gjitha kompeticionet kombëtare dhe ato europiane, nga ku fitoi katër herë Serie A (në sezonet 1954/55, 1956/57, 1958/59 dhe 1961/62) dhe një kupë të Ligës së Kampionëve (në sezonin 1962/63). Cesare u nda nga jeta më 4 prill 2016, në moshën 84-vjeçare.

Paolo është i biri i Cesare-s, në ndryshim nga i ati i tij, Paolo është një produkt 100 përqind i Milan-it. U formua në ekipet zinxhire të Milan-it, ku ra në sy talenti i tij dhe shumë shpejt do të kalonte në ekipin e parë.

Debutimi me ekipin e parë do të vinte në moshën 16-vjeçare, në 1985, duke u futur në fushë si zvendësuesi i Sergio Battistini-n te dëmtuar, në atë përballje me Udinese-n, e përfunduar në barazim. Më herët Paolo ishte në pankinë edhe ndaj Fiorentina-s por nuk mundi të debutonte.

Këtu do të merrte pikënisje dhe karriera e jashtëzakonshme e Paolo-s, që aktivizohej herë si mbrojtës i majtë dhe herë në qendër të mbrojtjes. Janë plot 25 sezone me kuqezinjtë, 901 ndeshje, 33 gola, 43 asiste dhe 25 trofe.

Paolo është padyshim legjenda më e madhe e Milan-it, me të në fushë kuqezinjtë kanë fituar shtatë Serie A (në sezonet 1987/88, 1991/92, 1992/93. 1993/94, 1995/96, 1998/99 dhe 2003/04), një Kupë të Italisë (në sezonin 2002/03), pesë Superkupa të Italisë (në sezonet 1988/89, 1992/93, 1993/94, 1994/95 dhe 2004/05).

Pesë herë e fitoi Ligën e Kampionëve (në sezonet 1988/89, 1989/90, 1993/94, 2003/04 dhe 2006/07), katër herë Superkupën e Europës (në sezonet 1989/90, 1990/91, 1994/95 dhe 2003/04),  një trofte i Botërorit të Klubeve (2007) dhe dy trofte të Kupës Interkontinentale (në 1989 dhe 1990).

Në fund të sezonit 2008/09, Paolo u tërhoqë nga futbolli i luajtur dhe në nder të tij, Milan-i vendosi të tërheqë dhe fanellën me numër “3”, numri që ai mbante në shpinë. Aktualisht Paolo është në rolin e Drejtorit Teknik te Milan-it, post që e mban prej 14 qeshorit 2019, pasi kishte rreth një vit që punonte në krah të Leonardo-s, ish-drejtorit teknik të Milan-it, para se roli t’i kalonte Paolo-s.

Daniel-i është personi i tretë nga familja Maldini me ekipin e Milan-it. I biri i Paolo-s dhe nipi i Cesare-s, ashtu si i ati i tij është një produkt i akademisë së Milan-it. Debutimin me ekipin e parë e bëri më 2 shkurt 2020, në përballljen me Hellas Verona-n, në moshën 18-vjeçare.

Në ndryshim nga dy paraardhësit e tij, Daniel-i luan si mesfushor i avancuar dhe si sulmues krahu. Në total ka 10 ndeshje me Milan-in, midis Serie A, Kupës së Italisë dhe UEFA Europa Ligës, por pa mundur të shënoi akoma golin e parë.

Në ndeshjen e fundit të Milan-it në Serie A përballë Juventus-it, e humbur me shifrat 1-3, Daniel-i u përfshi në lojë në minutën e 81’ dhe pikërisht kjo ndeshje shënoi paraqitjen e një mijtë në Serie A për të tre Madini-t, përkatësisht 647 ndeshje për Paolo-n, 347 ndeshje për Cesare-n dhe gjashtë ndeshje për Daniel-in./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore