Lajme

Malajzia dëbon shtetasit e Myanmar-it, pavarësisht vendimit të gjykatës


Malajzia ka dëbuar 1 mijë e 86 persona përsëri në Myanmar, duke kundërshtuar një urdhër gjykate dhe apel nga grupet e të drejtave të njeriut për të ndaluar procesin.

Organizatat e të drejtave thonë se grupi përfshin disa pakica etnike të cilat kanë vuajtur përndjekje në Myanmar. Ata thonë se dërgimi i tyre përsëri në Myanmar, ku ushtria mori pushtetin me një grusht shteti, mund t’i vinte në rrezik edhe më të madh.

Malajzia ka thënë se ata që po dërgohen kanë shkelur politikat e imigracionit dhe nuk janë azilkërkues.

Dëbimi ka ardhur pas kërkesës së 130 Organizatave joqeveritare (OJQ) për ndalimin e menjëhershëm të shitjeve të të gjitha pajisjeve ushtarake.

Në një letër të hapur, ata thonë se çdo shitje ose transferim i pajisjeve te forcat e armatosura mund të sigurojë mjetet për të shtypur më tej njerëzit.

Disa vende kanë zbatuar tashmë sanksione ndaj Myanmar-it.

Furnizuesit më të mëdhenj të armëve të vendit Kina dhe Rusia kanë injoruar thirrjet për një embargo.

Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se ministrja e jashtme e emëruar nga ushtria, Wunna Maung Lwin, ka mbërritur në Tajlandë për bisedime.

Migrantët u dëbuan në tre anije të marinës së Myanmar-it nga një bazë ushtarake malajziane të martën e 23 shkurtit, pasi mbërritën me kamionë dhe autobusë të mbushur.

Dëbimi i tyre si joazilkërkues

Khairul Dzaimee Daud, drejtori i përgjithshëm i emigracionit i Malajzisë, është shprehur se të gjithë të kthyerit kishin rënë dakord të ktheheshin vullnetarisht pa u detyruar nga asnjë palë.

Daud shtoi se ata që po riatdhesoheshin nuk përfshinin refugjatë Rohingya, grup etnik indo-arian ose azilkërkues.

Në një konferencë shtypi të mërkurën, grupi i të drejtave Amnesty International tha se “identiteti dhe statusi” i 114 personave të tjerë që nuk u dëbuan ishte i paqartë.

“Është e paqartë pse disa njerëz u dëbuan dhe disa njerëz jo. Thjeshtë përgjegjësi e autoriteteve të përgjigjen”.

Grushti i shtetit në Myanmar

Ushtria e Myanmarit ka marrë në dorë vendin me anë të një grushti shteti, duke arrestuar kancelaren Aung San Suu Kyi dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit. Ky grusht vjen pas disa ditësh tension mbi rezultatin e zgjedhjeve të fundit të nëntorit 2020.

Kancelarja 75 vjeçare Aung, presidenti Win Myint dhe pjesëtarë të tjerë Ligës Kombëtare për Demokraci, u arrestuan në rezidencën qeveritare të kryeqytetit, Naypyidaw.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore