Libra

Makiavelli kishte të drejtë – Si korrupton pushteti?


Niccolo Machiavelli/Ilustrim

Nëse dëshiron të shkruash për pushtetin, është një emër të cilit nuk i shpëton dot. Ky emër është Niccolo Machiavelli.

Në dimrin e vitin 1513, pas një nate tjetër të gjatë në pijetore, një nëpunës i rrënuar nisi të shkruante një broshurë të cilën ai e titulloi Princi.

Kjo “kapriço e vogël e imja” siç e përshkroi vetë Machiavelli, do shndërrohej në një prej veprave me ndikimin më të madh të historisë perëndimore.

Princi do përfundonte në komodinën anës shtratit të Perandorit Charles V, Mbretit Lous XIV dhe Sekretarit të Përgjitshëm Joseph Stalin.

Kancelari gjerman Otto von Bismarck kishte një kopje, sikurse edhe Winston Churchill, Benito Mussolini dhe Adolf Hitleri.

Madje, u gjend edhe në karrocën e Napoleon-it menjëherë pas humbjes së tij në Waterloo.

Avantazhi i madh i filozofisë së Machiavelli-t është se mund të vihet në zbatim.

Ai shkroi se nëse kërkon pushtet atëherë duhet ta rrëmbesh. Duhesh të jesh i paturpë, i pakufizuar nga parimet dhe morali.

Qëllimi justifikon mjetet. Dhe nëse nuk kujdesesh për veten, njerëzit do kërcejnë mbi kokën tënde.

Sipas Machiavelli-t, “mund të thuhet në tërësi për njerëzit se ata janë mosmirënjohës, të paqëndrueshëm, mashtrues, hipokritë, frikacakë, dhe ziliqarë”.

Nëse dikush ta shpërblen me të mirë, mos u gënje: është mashtrim, sepse “njerëzit nuk bëjnë kurrë diçka të mirë përveçse kur kanë interes”.

Shpeshherë libri i Machiavelli-t përshkruhet si ‘realist’. Nëse dëshironi ta lexoni, mjafton të shkoni në librarinë më të afërt dhe drejtohuni për nga raftet e librave më të shitur në të gjitha kohërat.

Ose mund të zgjidhni një prej llojeve të shumta të librave të motivimit personal që i përkushtohen filozofisë së tij, që nga Machiavelli për Menaxherët e deri tek Machiavelli për Nënat, ose shihni dramat e shumta, filmat dhe seritë televizive të frymëzuara nga idetë e tij.

Kumbari, House of Cards, Game of Thrones – të gjitha këto janë në fakt referenca të veprës së këtij italiani të shekullit të gjashtëmbëdhjetë.

Profesor Dacher Keltner është eksperti më i shquar mbi machiavellizmin e aplikuar. Gjatë viteve 1990-të, kur nisi të interesohej mbi psikologjinë e pushtetit, ai dalloi dy gjëra.

E para, pothuajse të gjithë besonin se Machiavelli kishte të drejtë; e dyta, pothuajse askush nuk kishte bërë studime shkencore që mund ta mbështeste këtë.

Keltner vendosi të ishte i pari. Ai studioi efektin e pushtetit kur njerëzit nisin ta kenë atë. Sëbashku me ekipin e tij, kreu një eksperiment duke vrojtuar efektin psikologjik të një makine të shtrenjtë.

Në këtë eksperiment, grupi i parë i subjekteve u ulën për të ngarë një makinë të vjetër Mitsubishi apo Ford Pinto dhe u dërguan në drejtim të vijave të bardha për kalimtarët, ku një këmbësor po hidhte hapat për të kaluar rrugën. Që të gjithë shoferët ndaluan ashtu siç e kërkon ligji.

Por më pas, në pjesën e dytë të studimit, subjekteve iu dha të ngisnin një makinë të shtrenjtë Mercedes Benz. Kësaj here, 45 përqind e tyre nuk ndaluan për këmbësorin.

Në fakt, sa më e shtrenjtë makina, aq më e pahijshme bëhej sjellja në rrugë.

“Shoferët e BMW-së ishin më të këqinjtë”, u shpreh për New York Times njëri prej studiuesve të tjerë.

Teksa vrojtonte sjelljen e drejtuesve të makinave, me kalimin e kohës Keltner e kuptoi se çfarë i kujtonte kjo. Termi mjekësor është “sociopati e fituar”: një çrregullim personaliteti anti-social jo i trashëguar, i diagnostikuar për herë të parë nga psikologët e shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Lind nga një goditje në kokë e cila dëmton zonat kryesore të trurit dhe i bën njerëzit më të mirë të shndërrohen në llojet më të këqija makiavellistësh.

Sa më shumë zbulohet psikologjia e pushtetit, aq më shumë kuptohet se pushteti është si drogë – një prej atyre drogave që vjen me katalogun e një liste të gjatë efektesh anësore.

“Pushteti ka prirjen të korruptojë, dhe pushteti absolut të korrupton tërësisht”, ishte shprehja e njohur e shekullit të nëntëmbëdhjetë nga historiani britanik Lord Acton.

Keltner e quan këtë “paradoksi i pushtetit”. Rezultatet e studimeve tregojnë se njerëzit zgjedhin individët më modestë dhe më zemërmirë për t’i drejtuar. Por, kur ata arrijnë në majë, shpeshherë pushteti bie në duart e tyre – dhe ec e lëvizi pastaj nga karrigia.

Që në kohën parahistorike ne ishim tejet të ndërgjegjshëm se pushteti të korrupton, ndaj edhe përdorëm një sistem turpërimi dhe presioni ndaj të tjerëve në mënyrë që të mbanim nën kontroll pjesëtarët e grupit.

Por, 10 mijë vite më parë u bë gjithnjë e më e vështirë të përmbysje të pushtetshmit. Mbretërit nuk lejonin më që të përmbyseshin nga pushteti. Presidentët nuk rrëzikoheshin me tallje dhe fishkëllima.

Një metodë tashmë e njohur është revolucioni. Çdo revolucion, qoftë ai francez (1789), rus (1917), apo Pranvera Arabe (2011), nxitet nga e njëjta dinamikë. Masat përpiqet të përmbysin tiranin.

Megjithatë, në fund, pjesa më e madhe e revolucioneve dështojnë. Me t’u rrëzuar një despot ngrihet një drejtues i ri i cili nis ketë lakmi të pangopur për pushtet.

Pas Revolucionit Francez erdhi Napoleon-i. Pas Revolucionit Rus erdhën Lenini dhe Stalini. Edhe Egjipti i është kthyer një diktatori të ri.

Sociologët e quajnë këtë “ligji i hekurt i oligarkisë”: edhe socialistët dhe komunistët, të cilët mburren me idealet e tyre të lirisë dhe barazisë, nuk janë aspak imunë nga ndikimi korruptues i të paturit shumë pushtet.

Disa shoqëri e kanë përballur këtë duke projektuar një system të shpërndarjes së pushtetit – e njohur ndryshe si “demokraci”.

Edhe pse kjo fjalë nënkupton se është populli ai që qeveris (në greqishten e lashtë, demos do të thotë ‘popull’ dhe kratos ‘pushtet’) jo gjithmonë ndodh kështu.

Në një shoqëri të ndërtuar mbi hiearkinë, machiavellistët janë një hap përpara. Ata zotërojnë armën sekrete për të mposhtur kundërshtarët.

Mjafton të shohësh gorillat dhe shimpanzetë, për të kuptuar se sa e vështirë është të përmbysësh nga pushteti një drejtues.

“Duket se pasazhe të tëra të Machiavelli-t janë të zbatueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë në sjelljen e shimpanzeve”, theksoi biologu Frans de Waal në librin e tij Politika e Shimpanzeve, i botuar në fillim te viteve 1980-të.

Në këtë botë të stome, nuk janë drejtuesit më miqësorë dhe ata me ndjeshmërinë më të madhe që ngrihen në majë, por të kundërtit e tyre. Në këtë botë është mbijetesa e njerëzve të paturpë.

Pjesë të shkëputura nga libri i Rutger Bregman “Njerëzimi – një histori shpresëdhënëse”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore