Art&dizajn

Madhështia mahnitëse e metrove të epokës sovjetike


Në mbi 770 stacione metroshë të gjendura në 19 qytete, u ndal Frank Herfort, i cili me artin e tij viziv, krijoi një arkivë arkitekturore-artistike të një shkëlqimi epokal sovjetik.

“Ishte një ditë e ftohtë e dhjetorit 2014 dhe po prisja një tren në Shchukinskaya, një stacion në linjën moskovite të metrove Tagansko-Kasnopresnenskaya”.

Kështu e nis Herfort rrëfimin e tij gjashtë-vjeçar, të kolanës artistike urbane që ka krijuar.

Në Moskë, përpos përpikmërisë për të cilën metrotë celebrohen, treni të cilin artisti po priste, po vonohej. Kjo rastësi e pakëndshme, e bëri atë të fillonte vëzhgimin më të imtë të mjedisit përreth.

Panelet e aluminit në atë segment, ishte të skulptuar në perfeksion. Matricat e tyre, ishte mbresëlënëse. Disa fotografi, Herford i shkrepi pa hezitim.

Pak më pas, treni i tij mbërriti në stacion. Ai u fut në një vagon me pritësit e tjerë dhe u nis drejt vendmbërritjes.

“Përvoja ime në Shchukinskaya dukej si një ngjarje e papërfillshme. Gjithsesi, ajo i dha jetë një projekti, të cilin e kisha menduar për vite me radhë”, thotë artisti.

Gjysmë dekade e jetës së tij personale, mund të cenohej prej këtij vendimi.

Mes viteve 2014 dhe 2020, ai fotografoi çdo stacion ekzistues të metrove funksionale të epokës sovietike. Në përfundim, ishin mbi 770 stacione në 19 qytete.

“Qëllimi im ishte të krijoja një arkiv sa më të pasur të ishte e mundur, me fotografi të metrove të tilla”, shpjegon Herford.

Gjithsesi, nuk ishin thjesht stacionet specifike, ato të cilat ia tërhiqnin kureshtjen atij. Sigurisht, shumë prej tyre janë magjepsëse në vetvete. Por, madhështia e një sistemi të tërë, ishte çfarë e bënte atë.

Misticitet, pafundësi, një autoritet kolosal mbi veten.

Herford ishte i kapluar nga detaje të panumërta. Drita, stola, tulla, objekte, mozaikë, shkallare, ashensorë, art i gjendur kudo, në mermer apo dru.

Për një kohë, atij iu ndje sikur projekti, ishte i parealizueshëm. Numri i stacioneve të mbetura, dukej i paarritshëm. Stacione të mbushur me pasagjerë në lëvizje dhe detaje dekorative.

Vetëm metroja e Moskës, e hapur në vitin 1935, shërben si e tillë, mbi qëllimin e një objekti propagandistik të madhështisë sovietike. Mbi 200 stacione gjendet vetëm në të. Qindra milje, përshkohen nga trenat që operojnë.

Por prapë, nuk ishin të mjaftueshme për vizualizatorin, i cili donte gjithnjë e më shumë stacione.

“Kapja e sa më shumë stacioneve dhe pasagjerëve në të, i mbushte fotografitë me një ndjesi pafundësie. Por kjo gjë nuk ishte e lehtë për t’u bërë. Shumica e tyre duhet të kryheshin përpara orës 6 të mëngjesit ose pas 11 të natës, për shkak të fluksit të madh”.

Fatmirësisht, kufizimet për shkrepjen e fotove, janë liruar së fundmi. Fjala bie, në Tashkent, kryeqytetin e Uzbekistanit (ish-republikë sovjetike), vetëm në 2018-ën u hoq ndalimi i fotografimit të metrove.

Gjithsesi, autoritetet e metrove, jo gjithnjë u treguan “të sjellshme” me Herford-in.

“Mbi 50 herë, në stacione të ndryshme, më thanë se fotografimi ishte i ndaluar. Në një rast në Tashkent, më thanë madje t’u dorëzoja kartën e memories”.

Si një lojë të maces me miun, projekti po vijonte të jetësohej. Ndonjëherë në ndjesinë e kriminelit, fotografi po arrinte qëllimin e tij, të përjetësimit të bukurisë së stacioneve.

“Më duhej ndonjëherë të studioja oraret se kur policët merrnin pushimin”, vijon rrëfimin ai. “Kur ata shkëmbeheshin në pushimin e drekës, unë rrëmbeja aparatin dhe shkrepja fotografitë”.

Moskë, Shën Petërburg, për të kaluar përtej kufirit në Ukrainë, Bjellorusi, Azerbajxhan, Gjeorgji, Armeni, Uzbekistan. Të gjithë këto shtete ish-sovjetike, po përmbushnin ëndrrën e Herford me metrotë e tyre.

“Pse po fotografon këtu?”, e pyesnin shpesh njerëzit atë.

“Ndoshta ata nuk e kuptonin se si një projekt i tillë, ishte kaq i rëndësishëm për mua”, përgjigjet Herfort. “Ndoshta, edhe pse këto vende, ose shumica prej tyre, ishin rrugëtime të përditshme të tyre dhe nuk i bënin përshtypje”.

Por, ndonjëherë tjetër, ndonjë kalimtar, do ta gjente veten në një vend ku kishte kaluar mijëra herë, duke parë një panoramë drejt të cilës Herfort kishte drejtuar objektivin e tij.

Një tavan i bukur, një parmak i gdhendur, një llambë dekorative.

Aty, edhe fotografi, do ta kuptonte se njerëzit, në realitet, po e kuptonin…

Ky artikull është marrë dhe përshtatur nga “New York Times” për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore