Lajme

Macron: Tajvani një aleat, jo vasal


Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka mbrojtur komentet e tij të fundit për Tajvanin, në të cilat ai tha se Franca nuk duhet të përfshihet në një përshkallëzim midis SHBA-ve dhe Kinës.

Ai i bëri komentet në një intervistë, gjatë fundjavës pas vizitës së tij shtetërore tre-ditore në Kinë.

Macron tha gjithashtu se të jesh aleat i SHBA-ve nuk do të thotë të jesh “vasal”.

Vërejtjet e tij kanë tërhequr kritika nga politikanë dhe figura të tjera publike në të dy anët e Atlantikut.

Por të mërkurën, gjatë një vizite në Holandë, ai tha se i qëndronte komenteve.

“Të jesh aleat nuk do të thotë të jesh vasal… nuk do të thotë se nuk kemi të drejtë të mendojmë vetë”, tha Macron në një konferencë shtypi në Holandë gjatë vizitës së tij dy-ditore.

Presidenti francez theksoi gjithashtu se asgjë nuk kishte ndryshuar në mbështetjen e Francës për “status quo” në Tajvan dhe se Parisi “mbështet politikën e ‘një Kine’ dhe kërkimin për një zgjidhje paqësore të situatës”.

Ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump e ka akuzuar Macronin se është miqësor me Kinën – por udhëheqësi francez tha se nuk do t’u përgjigjej atyre komenteve.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë komentet, duke thënë se administrata e Biden mbetet “e rehatshme dhe e sigurt në marrëdhëniet e mrekullueshme dypalëshe që kemi me Francën”.

Ministria e Jashtme e Tajvanit ka marrë një qëndrim të ngjashëm, por ka thënë se ka “vënë në dukje” komentet e zotit Macron.

Një zyrtar i lartë tajvanez, megjithatë, tha se vërejtjet e lanë atë “të hutuar”.

“A janë jashtë modës ‘liberte, égalité, fraternité’?” shkroi kryetari i Parlamentit, You Si-kun, në media sociale, duke iu referuar motos së Francës për “liri, barazi, vëllazëri”.

“A është në rregull vetëm të injorosh këtë pasi është pjesë e kushtetutës? Apo vendet e avancuara demokratike mund të injorojnë jetën dhe vdekjen e njerëzve në vende të tjera?”.

Disa analistë thonë se komentet e Macron sugjerojnë se SHBA-të janë po aq fajtore sa edhe Kina për tensionet në rritje mbi Tajvanin dhe e bëjnë më të vështirë për BE-në të marrë një linjë më të ashpër me Pekinin.

Ndërkohë, Kina ka lavdëruar komentet e Macron dhe tha se nuk ishte e befasuar nga kritikat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore