Lajme

Macron përshëndet marrëveshjen Kosovë-Serbi: Zbatojeni menjëherë, në tërësi


Presidenti francez, Emmanuel Macron, është shprehur këtë të premte se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e dakorduar fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, dhe më pas në Ohër të Maqedonisë së Veriut me 18 mars, është “progres i rëndësishëm” dhe shtoi se tani është thelbësore që të dy palët të tregojnë përgjegjësi dhe “menjëherë dhe me mirëbesim të fillojnë zbatimin e të gjitha detyrimeve” të përcaktuara aty.

Këto komente, presidenti francez Macron i bëri në fund të seancës së liderëve të Bashkimit Evropian, të cilët u informuan nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndërkaq, Macron e përshëndeti marrëveshjen, por gjithashtu nënvizoi se “ata ende po punojnë për të”.

Po ashtu, kreu i Francës theksoi se “dihet mirë se sa Franca dhe Gjermania kanë punuar së bashku në mbështetje të kësaj marrëveshje dhe se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë”.

Ndryshe, më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore