Lajme

Macron për Evropën, Le Pen vetëm për Francën – Mbyllet debati presidencial


Në një transmetim maratonë prej thuajse tre orësh, është përmbyllur debati presidencial mes Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen, dy kandidatët, të cilët do të përsërisin duelin e vitit 2017 për kreun e Elysee-së dhe mandatin e ardhshëm pesë-vjeçar, i cili mund të ndryshojë fatin jo vetëm të Francës, por të gjithë Evropës.

Pikërisht qasja e dy kandidatëve karshi Bashkimit Evropian, ishte çfarë e nxiti fillimisht debatin dhe e bëri atë më interesant.

Ishte presidenti aktual, Macron, ai i cili foli i pari mbi diplomacinë, duke e nisur nga kriza e fundit e luftës në Ukrainë.

“Franca duhet doemos ta mbështesë Ukrainën”, argumentoi Macron. “Duhet të dërgojmë armatime. Duhet t’i mbështesim ekonomikisht, që Kievi të mos bjerë. Po ashtu duhet të mbështesim refugjatët ukrainas, të cilët janë mbi 5 milionë”.

Në këtë aspekt, Le Pen e mbështeti kreun e Elysee-së, por ajo nuk është dakord vetëm në një çështje themelore, që ka të bëjë me importin e gazit dhe naftës ruse, raporton Albanian Post.

Sipas Le Pen, është diçka e mirë që Franca e ka ndihmuar Ukrainën dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Por, mbi sanksionet ndaj gazit dhe naftës ruse, ajo mendon se dëmi më i madh nuk i shkaktohet Moskës, sa i shkaktohet vetë francezët.

Mbi qëndrimin në BE, të dy ranë dakord se Franca e ka vendin në union. Por, Le Pen, mendon se kushtet brenda bashkësisë duhet të ndryshojnë.

Borxhi i Le Pen dhe tutela e Putinit

Një diskutim shumë i nxehtë u zhvillua mes Macron dhe Le Pen mbi një çështje shumë delikate, referuar një kredie që partia e saj politike ka marrë nga një bankë ruse, për të cilën presidenti aktual tha se ajo “ende nuk e ka shlyer”.

“Ju vareni nga fuqia ruse (Putini), për shkak të kredisë së marrë në një bankë ruse për zgjedhjet presidenciale të vitit 2017”, parashtroi Macron.

Le Pen, kësaj çështjeje, iu përgjigj se kundërshtari i ka të pasakta informacionet, pavarësisht se ai ka nën kontroll gjithë shërbimet e inteligjencës franceze, të cilat e informojnë për çdo detaj mbi të.

Një përgjigje konkrete mbi borxhin, ajo nuk e dha asnjëherë gjatë debatit dhe e anashkaloi tërësisht, duke thënë se ajo kredi ka marrë vazhdimisht edhe për të blerë gjëra bazike si makina apo shtëpi, përcjell Albanian Post.

Megjithatë, Macron i bëri të qartë se për këtë gjë, ekzistojnë bankat franceze, por edhe ato evropiane dhe nuk ka nevojë për të shkuar tek bankat ruse.

Kësaj, politikanja e ekstremit të djathtë, iu përgjigj duke thënë se ishte vetë Macron, ai i cili e ka penguar të marrë atë kredi.

Por kreu i Elysee-së, e nënqeshi këtë pretendim.

Taksimi

Taksimi ishte ndër çështjet e diskutuara mes dy kandidatëve që në fillim, mbi të gjitha për çështje si ndihma ndaj krizës të shkaktuar prej pandemisë, çmimit të rritur të energjisë dhe pensionimit.

Le Pen, pretendoi se për 70% të njerëzve është ulur fuqia blerëse dhe ajo ka ndërmend të ulë taksimin për ta dhe taksimin e TVSH-së për energjinë, duke ndihmuar kështu konsumatorët.

Zgjidhja e Macron për këtë rast, është një çek mujor ndihme për personat të cilët kanë nevojë.

Por, sipas kundërshtares së tij, kjo gjë nuk mjafton.

Ajo pretendoi se me marrjen e Presidencës, do të ulë taksën e energjisë në 5.5% nga 20% që është aktualisht.

Macron në këtë pike, është përgjigjur se ai ka menduar për një bllok tarifor të përkohshëm, deri sa të kalojë kriza.

Macron ndërkohë formuloi tezën se Qeveria e tij ka kthyer në punë 1.2 milionë francezë, pavarësisht pandemisë. Ndërsa, tek programi i Le Pen, papunësia nuk përmendet fare si çështje.

Mbi pensionet, dy rivalët kanë qëndrime radikalisht të kundërta, me Le Pen e cila mendon se pensioni nuk duhet të shtyhet në afat moshor, për shkak se mjafton të plotësohet kriteri i 40-42 viteve vjetërsi pune.

Teksa, Macron, mendon se çdo vit duhen shtuar katër muaj në moshën e pensionimit, për të arritur në fund të mandatit të ardhshëm presidencial në moshën 65 vjeç.

Megjithatë, ai nuk e fshehu faktin se kategori të caktuara, duhet të mbrohen.

Klima dhe energjia

Klima dhe energjia janë dy sektorë të lidhur ngushtësisht njëri me tjetrin dhe një ndër çështjet më të diskutuara në Evropë.

Objektivisht, industria është e lidhur drejtpërdrejt me të dyja, ndaj Le Pen e nisi fjalën e saj duke folur pikërisht për industrinë.

Ajo u shpreh kundër qasjes së tregjeve të lira dhe optoi më së shumti për një industri lokaliste e cila vetëpërmbushte nevojat e Francës.

Në këtë mënyrë, do të kishte impakt edhe në klimë, pasi do të evitoheshin industritë e rënda, të cilat shkaktojnë 50% të dëmit.

Nga ana tjetër, Macron e kundërshtoi rivalen, duke paraqitur një qasje revolucionare siç e quajti ai vetë, raporton Albanian Post.

Sipas Macron, teknologjia industriale duhet të ndryshojë dhe të modernizohet.

Ndërsa, Le Pen-in, ai e cilësoi si “klimatoskeptike”.

Përgjigja e kundërshtares, ishte se Macron është një “klimahipokrit”.

Energjia ndërkohë, e cila në Francë varet kryesisht nga ajo bërthamore, i ndau sërish dy kandidatët për president.

Macron kërkon të shtojë energjinë e rinovueshme, mbi të gjitha atë diellore dhe eolike.

Ndërsa, Le Pen, energjinë bërthamore, kërkon çuditërisht ta zhbëjë me më shumë energji bërthamore, duke investuar tek hidrogjeni nëpërmjet proceseve kimike.

Digjitalizimi

Një “Google” evropian është ajo çfarë i duhet kontinentit të vjetër sipas Le Pen.

Pika e radhës e debatit presidencial ka qenë aspekti teknologjik, ku kandidatja e ekstremit të djathtë ka kritikuar fuqitë e mëdha evropiane, pasi nuk kanë investuar sa duhet si pas në teknologjitë e reja.

“Ne duhet të krijojmë një Google evropian” tha ajo përballë Macron. “Duhet të vendosim mjetet për të mbrojtur të dhënat tona”.

Nga ana tjetër, presidenti aktual ka folur për një treg të vetëm digjital në Evropë.

Ai e caktoi atë si zgjidhja e vetme për t’i bërë ballë tregjeve amerikane dhe kineze.

Ndërsa, Le Pen-in, ai e akuzoi se nëse nuk i pëlqen Evropa, atëherë Franca nuk mundet të zhvillohet në një kampione digjitale në kontinent.

Emigracioni, siguria dhe laiciteti

Debati u bë sërish i ashpër mes rivalëve, kur në lojë u rikthye një temë e nxehtë e politikës dekadente të Le Pen, që lidhet me emigracionin, sigurinë dhe laicitetin e vendit.

Ajo ka theksuar gjatë debatit me Macron se kërkon ta zgjidhë një herë e mirë problemin e emigracionit “anarkik dhe masiv” dhe madje ajo do të organizojë një referendum për këtë çështje.

Emigracionin, Le Pen e lidh drejtpërdrejt me pasigurinë e qytetarëve.

Ajo kërkoi gjithashtu më shumë vendosmëri nga ana e shtetit dhe bëri thirrje veçanërisht për prezumimin e vetëmbrojtjes për policinë.

Emmanuel Macron i është përgjigjur dhëmbë për dhëmbë kundërshtares së tij, pasi ka deklaruar se i ka mbajtur të gjitha angazhimet e tija gjatë pesë viteve në Presidencë.

Ai pretendon se ka krijuar 10 mijë poste të reja për policët dhe ka rritur gjithashtu buxhetin për drejtësinë me 30% gjatë dy viteve të fundit.

Le Pen nga ana tjetër, ka vijuar më pas me retorikën kundër shpalosjes së hijabit në vende publike, pasi e ka përkufizuar si një sjellje “të papranueshme për Francën”.

Sipas saj, përdorimi i simboleve fetare islame në rrugë apo vende publike, është i rrezikshëm edhe për vetë personin që e vesh, pasi mund të sulmohet apo poshtërohet.

Ndaj, për të evituar sjellje të tilla, duhet ndaluar me ligj veshja fetare islame në mjedise publike.

Këtë gjë, Macron e ka kundërshtuar si gjithnjë, duke e cilësuar liri dhe të drejtë themelore të njeriut. Mbi të gjitha, nëse ndalohet ky simbol fetar, atëherë sipas tij duhet ndaluar çdo simbol fetar i çdo feje.

Macron ka shkuar deri aty sa të thotë se një ligj i Le Pen për ndalimin e hijabit, mund ta çojë vendin në luftë civile.

Megjithatë, Le Pen mendon se në realitet, ligji do të jetë një “çlirim” për vajzat dhe gratë.

Kjo ka qenë edhe mbyllja e debatit mes kundërshtarëve, të cilën Albanian Post e ka transmetuar me përditësime live, minutë pas minute.

Për të ndjekur debatin e plotë, klikoni KËTU!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore